Lidhje

Afganistan: Rrjedha e ngjarjeve që i parapriu strategjisë së re


Vendimi i Presidentit Obama për një strategji të re për Afganistanin u parapri nga muaj me deklarata, vendime të tjera jo me permasa te medha dhe takime me kabinetin e tij të sigurisë. Fjalimi i mbrëmshëm ishte pika kulmore e një rrjedhe ngjarjesh dhe deklaratash që ka patur në qendër Afganistanin. Gjatë fushatës presidenciale, senatori i atëhershëm Obama bëri një vizitë në Afganistan. Ai tha se ishte kundër luftës në Irak dhe donte ta rikthente vëmendjen tek Afganistani, të cilin e quajti linjën e parë të frontit në luftën kundër terrorizmit. Në janar 2009, kur bëri betimin, Barak Obama përmendi edhe Afganistanin.

"Ne do të fillojmë që me përgjegjësi t'ia kalojmë drejtimin e Irakut, popullit të vet dhe të konsolidojmë paqen në Afganistan".

Dy ditë më pas, presidenti Obama caktoi Riçard Hollbrukun si të dërguar të posaçëm në Afganistand dhe Pakistan.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë duke njoftuar për një rritje të numrit të trupave prej 17 mijë ushtarësh për të stabilizuar atë që e quajti situatë të përkeqësuar në Afganistan. Në mars, Presidenti deklaroi një strategji të re për Afganistanin dhe Pakistanin.

"Dua që populli amerikan ta kuptojë se ne kemi një synim të qartë dhe të përqendruar: të shkatërrojmë dhe eliminojmë al-Kaidën në Pakistan dhe Afganistan dhe të parandalojmë kthimin e saj në secilin prej këtyre vendeve në të ardhmen. Ky është objektivi ynë. Nuk ka kauzë më të drejtë se kjo. Dhe për terroristët që na kundërshtojnë ne, mesazhi im është i qartë: do t'ju mposhtim".

Në maj, Presidenti Obama priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin pakistanez Asif Zardari dhe atë afgan Hamid Karzai. Takimi përkoi me zemërimin e publikut në Afganistan, lidhur me një goditje ajrore amerikane në provincën Farah që shkaktoi viktima civile.

Disa ditë më pas, Pentagoni njoftoi se po zëvendësonte Gjeneralin Dejvid Mekirnan, komandantin e forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts tha se dikush me një perspektivë të re ishte i nevojshëm për t'u përballur me situatën e përkeqësuar në Afganistan.

Në qershor, gjenerali Stenli Mekristal filloi detyrën si komandant i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan. Ai urdhëroi një rishikim të misionit ushtarak atje. Ai tha se lufta nuk do të matej nga numri i kryengritësve të vrarë, por nga numri i civilëve të mbrojtur nga dhuna.

Në gusht, numri i amerikanëve që humben jetën për një muaj ishte më i larti që nga viti 2001.

Më 20 gusht, afganët shkuan në kutitë e votimit për të zgjedhur Presidentin e ri. Më vonë, njoftimet për mashtrime të shumta ngritën pikëpyetje mbi mbështetjen amerikane për Presidentin Hamid Karzai.

Në shtator, anketat e opinionit publik amerikan tregonin pakesimin e mbështetjes për luftën në Afganistan.

Media amerikane njoftoi se Gjenerali Mekristal, në një dokument konfidencial kishte paralajmëruar se lufta mund të përfundonte me dështim, nëse nuk siguroheshin trupa shtesë. Sipas disa njoftimeve, gjenerali po kërkonte deri në 40 mijë trupa shtesë.

Megjithëse Presidenti Karzai pranoi me vështirësi të shkonte në balotazh, pasi u arrit në përfundimin se kishte marrë më pak se 50 për qind të votave, rivali i tij kryesor Abdullah Abdullah u tërhoq, duke thënë se ishte e pamundur që të mbaheshin zgjedhje transparente.

Në nëntor, Presidenti Karzai u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në Afganistan. Presidenti Obama i bëri atij thirrje që të luftonte korrupsionin në administratë.

"Unë i theksova Presidentit Karzai se populli amerikan dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi duan të vazhdojnë partneritetin me të dhe qeverinë e tij për të arritur mirëqenien dhe sigurinë në Afganistan, por unë theksoj se tani ne duhet të fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri".

Ky angazhim i Presidentit Obama vazhdoi deri në ditët e fundit të nëntorit, ku ai mbajti sesionin e fundit për strategjinë e Afganistanit në Shtëpinë e Bardhë, vetëm pak kohë para fjalimit të tij të djeshëm. //kk//


XS
SM
MD
LG