Lidhje

Kongresi amerikan mbi strategjinë e re të Obamës për Afganistanin


Zyrtarë të administratës së presidentit Obama dje dëshmuan para kongresit, duke inkurajuar ligjvënësit nga dy partitë e mëdha politike që ta mbështesin strategjinë e presidentit Barak Obama dhe vendimin e tij për dërgimin e 30 mijë trupave tjera amerikane në konflikt. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dan Robinson, presidenti Obama po ndeshet me një rezistencë të fortë ndaj strategjisë së tij nga ana e republikanëve dhe demokratëve.

Shqetësimet u shprehën ndërkohë që sekretari i mbrojtjes Robert Gejts, sekretarja e shtetit Hillari Klinton dhe kreu i shtatmadhorisë admirali Majk Mullen dëshmuan para dy komisioneve në kongres.

Presidenti Obama po ndeshet me kundërshtime të forta nga krahu liberal i partisë së tij, ndërkohë që ligjvënësit e grupit progresist në dhomën e përfaqësuesve kanë ngritur zërat e tyre kundër kësaj strategjie.

Në seancën e dhomës së përfaqësuesve, demokrati nga Teksasi Llojd Dogget tha se presidenti po e fut konfliktin në një fazë më të gjatë, ndërsa demokrati nga Ohajo Denis Kucinich tha se njerëzit në Afganistan dëshirojnë që trupat amerikane të jenë jashtë vendit të tyre.

“Rritja e trupave me 40 përqind dhe pastaj zvogëlimi i tyre, brenda një periudhe 18 mujore është jorealiste. Ne kemi luftuar në Afganistan me një plan me këste—më shumë trupa, më shumë muaj, edhe më shumë para. 2011-ta nuk do të shënojë fundin e kësaj lufte, por do të shënojë vetëm fillimin e një kësti tjetër.”

“Ne kemi punuar me të gjitha palët në Afganistan dhe të gjithë ata duan që ne të ikim prej atje. Ata nuk e duan praninë tonë, nuk duan kontrollin tonë, trupat tona, aeroplanët tonë pa pilotë, apo stilin tonë të jetës. Ne po luftojmë një luftë të gabuar në vend të gabuar dhe në kohë të gabuar.”

Presidenti Obama e ka caktuar korrikun e 2011-tës për fillimin e tërheqjes së forcave amerikane, duke thënë se ai beson se përafërsisht 18 muaj janë të mjaftueshme për të rritur numrin e mjaftueshëm të ushtrisë afgane, policisë dhe qeverisë qëndrore.

Sekretari Gejts, sekretarja Klinton dhe admirali Mullen i thanë komisionit të senatit për forcat e armatosura dhe komisionit për marrdhënie me jashtë të dhomës së përfaqësuesve se dështimi në mposhtjen e al-Kaidës dhe Talibanëve në Afganistan do ta bënte Amerikën më të pambrojtur ndaj sulmeve të ardhshme.

Nevoja për mposhtjen e al-Kaidës dhe rritja e sigurisë në Afganistan, tha zoti Gejts, nuk mund të ndahen, dhe rreziqet janë të mëdha, jo vetëm në Afganistan por në gjithë rajonin.

“Ndërkohë që al-Kaida gjendet nën presion të madh tani, ajo varet nga talibanët dhe grupe tjera ekstremiste për të mbetur gjallë, suksesi i talibanëve do të forconte mesazhin e al-Kaidës në botën Myslimane, se ekstremistët janë në anën fituese të historisë.”

Ndërkohë që përshëndetën rritjen e numrit të trupave, ligjvënësit republikanë si senatori Xhon Mekejn dhe përfaqësuesja Ilena Ros-Lehtinen thanë se presidenti ka bërë gabim që ka caktuar një afat për tërheqjen e trupave.

“Vendosja e një date për tërheqje e trimëron Al-Kaidën dhe Talibanët, ndërkohë që i shkurajon partnerët tanë afganë dhe e bënë më pak të mundur që ata të rrezikojnë jetën e tyre për të na mbështetur ne në luftë.”

“Para zbatimit të strategjisë, presidenti ka vendosur një afat pë angazhimin tonë dhe një periudhë kohore për tërheqjen e trupave tona. Çfarë mesazhi i dërgon ky veprim armikut tonë?”

Sekretarja Klinton tha se ajo dhe zyrtarë tjerë janë dakord se situata në Afganistan është “serioze dhe po përkeqësohet,” megjithatë ajo tha se ngjarjet atje dhe në Pakistanin fqinjë “nuk janë aq negative siç prezantohen para publikut.”

Sekretarja Klinton vuri në dukje atë që ajo dhe zoti Gejts e quajtën “përgjigje inkurajuese” nga partnerët e NATOs.

“Ne presim një angazhim të rëndësishëm të forcave shtesë nga partnerët tanë të NATOs dhe Forcës Ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan si dhe mbështetje financiare shtesë sepse ne dëshirojmë të vendosim një fond të fuqishëm për ushtrinë kombëtare afgane dhe për policinë.”

Shumë ligjvënës janë skeptikë rreth ndihmës që administrata e presidentit Obama thotë se pret nga Pakistani, i cili po merr miliarda dollarë ndihma nga Shtetet e Bashkuara nga një ligj i miratuar këtë vit në kongres.

Paratë për operacionet ushtarake në Afganistan dhe në Irak, ku forcat amerikane janë duke u tërhequr, janë përfshirë në një ligj të mbrojtjes, i cili tani po negociohet mes senatit dhe dhomës së përfaqësuesve.

Presidenti Obama është angazhuar të paguaj për luftën përmes një procesi të zakonshëm buxhetor, ndryshe nga amdiministrata e presidentit Bush, e cila shpesh i dërgonte kongresit kërkesa shtesë për fonde.

Por kryetari i nënkomisionit të mbrojtjes në dhomën e përfaqësuesve Xhon Mërtha tha se ai pret që kostoja e forcave amerikane do të rritet në 40 miliard dollarë e jo 30 miliard siç ka thënë administrata e presidentit Obama, dhe shtoi se ai beson se kjo administrë do të kërkojë fonde shtesë për luftën.

XS
SM
MD
LG