Lidhje

Presidenti Obama mirëpret ide të reja për krijimin vendeve të reja të punës


Presidenti amerikan Barak Obama u takua me udhëheqës të biznesit, punës, arsimit, qeverisë dhe grupeve jofitimprurëse për të shqyrtuar mundësitë e krijimit të vendeve të punës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain njofton nga Shtëpia e Bardhë, ku u zhvillua i ashtëquajturi takim për vende pune dje, një ditë para se të publikohen shifrat e papunësisë për muajin nëntor.

Tani që papunësia ka arritur në mbi 10 përqind, presidenti Obama thotë se do të marrë masa menjëherë.

“Çdo ditë takoj apo dëgjoj njerëz që thonë se kanë aplikuar shumë herë për vende pune, dhe që po kërkojnë prej një apo një viti e gjysëm dhe ende nuk kanë gjetur pune, prandaj janë të dëshpëruar. Ata nuk kanë humbur vetëm të ardhurat nga të cilat varet jetesa e tyre, por po humbin edhe sensin e dinjitetit që vjen nga të qenurit i punësuar.”

Presidenti ftoi rreth 130 vetë në Shtëpinë e Bardhë dhe u kërkoi atyre ta ndihmonin të gjente mënyra për të rikthyer miliona amerikanë në vendet e tyre të punës.

“Dua ta bëj të qartë se unë jam i hapur ndaj çdo ideje të mirë, dhe dua të ndërmarr çdo hap të mundshëm për të përshpejtuar krijimin e vendeve të punës.”

Zoti Obama e pranoi se nismat e qeverisë nuk mund ta zgjidhin plotësisht problemin e papunësisë, dhe se sektori privat do të duhet të krijojë një numër të madh vendesh pune.

“Ne nuk mund të marrim vendime të pamenduara mirë tani, pavarësisht nga objektivi që kemi. Do të duhet të zgjedhim një strategji të mirë, të jemi krijues dhe të tregohemi të mençur.”

Presidenti bisedoi me disa grupe të vogla gjatë takimit. Ai diskutoi me një grup për krijimin e vendeve të punës përmes promovimit të efikasitetit energjitik dhe të ashtëquajturës energji të pastër. Ai u kërkoi krerëve të biznesit gjithashtu të bënin fushatë për legjislacionin mbi energjinë në senatin amerikan.

Në të njëjtën kohë, edhe republikanët e opozitës zhvilluan forumin e tyre mbi vendet e punës në Uashington. Shumica e tyre ranë dakort se programet ekonomike të presidentit nuk po funksionojnë dhe se ai duhet të ndryshojë kurs.

Përveç nivelit të lartë të papunësisë, zoti Obama thotë se plani i tij stimulues prej 787 miliard dollarëve ka ndihmuar në përmirësimet e fundit në ekonominë e vendit. Ai thotë se ekonomia po rritet për herë të parë që prej një viti, prodhimtaria po shtohet, kompanitë po njoftojnë fitime dhe tregu i aksioneve po tregon rritje.

Presidenti do ta vazhdojë fushatën e tij për ekonominë sot në qytetin lindor Alentaun të shtetit Pensilvenia dhe do të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi ekonominë të martën.

XS
SM
MD
LG