Lidhje

Bernanke përballë kritikave në Kongres



Ndërsa Presidenti Barak Obama shkon sot në Allentaun të Pensilvanisë për të siguruar mbështetje për programin e tij ekonomik, shifrat e reja për papunësinë ishin shkak për optimizëm.

Përqindja e papunësisë në Shtetet e Bashkuara ra në nëntor, ndërsa numri i vendeve të humbura punës ishte më i ulëti që nga viti 2007. Në një raport të Departamentit të Punës thuhet se papunësia ra me 0.2 për qind nga niveli 10.2 për qind.

Në kushtet kur gjendja ekonomike vazhdon të jetë e vështirë, dje kreut të Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke iu desh të përballej me kritikat e ashpra të ligjvënësve. Papunësia e lartë ishte një nga argumentat e përdorura kundër zotit Bernanki në seancën e Komisionit të Senatit për bankat.

Papunësia e lartë ishte një nga arsyet që ligjvënësit kritikuan ashpër dje zotin Bernanki, duke përmendur faktin se ajo arriti në tetor nivelin më të lartë që prej 26 vjetësh. Por ata e konsiderojnë fajtor kreun e Bankës Qendrore, një nga arkitektët e planit për shpëtimin e gjigandëve financiarë, edhe për faktin që këto banka nuk po u japin hua bizneseve, gjë që do të stimulonte aktivitetin ekonomik. Zotit Bernanki iu desh të mbronte vendimet e tij, ndërsa përballet me mundësinë e një mandati të dytë, pas emërimit nga Presidenti Obama.

Ben Bernanke u gjend përballë zemërimit të madh të disa senatorëve.

“Do të bëj të gjitha përpjekjet për të frenuar emërimin tuaj dhe për të zvarritur këtë proces sa më shumë të jetë e mundur. Duhet t’i japim fund dështimit tuaj dhe të Bankës Qendrore dhe ky është momenti më i mirë për ta bërë këtë”.

Republikani Xhim Buning i Kentakit e akuzoi Bernanken se nuk i kishte kapur shenjat se kriza e tregut të shtëpive po kërcënonte gjithë ekonominë dhe se i ishte nënshtruar presionit të Uoll Stritit.

Ai tha se edhe vetëm dhënia e fondeve për të shpëtuar kompaninë e sigurimeve, AIG do të ishte arsye e mjaftueshme për ta rikthyer ish-profesorin e Princtonit, në universitet.

Nga ana e tij, zoti Bernanke premtoi se nëse rikonfirmohet, ai do të punonte me Kongresin për të reformuar sistemin rregullator financiar për të vazhduar rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Do të ishte një tragjedi nëse pas të gjitha vështirësive që amerikanët kanë kaluar gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë nuk arriti të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të parandaluar përsëritjen e një krize të përmasave që ne kaluam së fundmi”.

Megjithatë zoti Bernanke kishte mbrojtësit e tij. Senatori demokrat Çarls Shumer tha se kreu i Bankës Qendrore ndërmori masa të shpejta për të shmangur shkatërrimin e plotë ekonomik.

“Ne kemi shumë probleme. Ekonomia nuk po ecën aq shpejt sa ç’duhet, megjithatë ky nuk është Depresioni i Madh dhe mendoj që edhe mund të ishte shndërruar në një të tillë”.

Ekpertët e ekonomisë thonë se Senati ka mundësi ta konfirmojë zotin Bernanke për të një mandat të dytë, megjithë pakënaqësitë për papunësinë e lartë shprehur nga shumë ligjvënës.

Pra, me pak fjalë fryma e përgjithshme e seancës së djeshme ishte se Kreu i Bankës Qendrore mund të kishte bërë më shumë për të zbutur pasojat e krizës, por që në fund të fundit situata do të kishte qenë shumë më e keqe pa masat e marra prej tij.

XS
SM
MD
LG