Lidhje

Shërbimi sekret pranon gabimin



Ligjvënësit kanë pasur një aktivitet të ngjeshur këto ditë, që nga seancat me zyrtarët e lartë për strategjinë e re për Afganistanin, e deri tek ekonomia. Por kjo nuk i pengoi ata të merreshin edhe me një problem tjetër, atë të çiftit që është bërë tashmë famshëm pasi arriti të hyjë në darkën shtetërore të javës së kaluar, pa një ftesë nga Shtëpia e Bardhë. Kjo me siguri nuk është fama që Tarek dhe Mikaelë Salahi po kërkonin. Ditët e fundit ngjarja tashmë e njohur, ka qenë në qendër të kronikave, faqeve të gazetave dhe internetit, jo vetëm si një spektakël i pazakontë, por edhe si një incident që vë në dukje potencialin për të rrezikuar sigurinë kombëtare.

Drejtori i Shërbimit Sekret amerikan i tha dje komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, se agjencia e tij ishte përgjegjëse që lejoi çiftin e paftuar të merrte pjesë në darkë, por se Presidenti Barak Obama nuk kishte qenë për asnjë moment në rrezik.

Megjithatë ata arritën të hyjnë në darkën shtetërore për Kryeministrin e Indisë, ashtu si 300 pjesëmarrësit e tjerë. “Megjithëse këta individë kaluan përmes të gjitha kontrolleve të duhura, hyrja e tyre në Shtëpinë e Bardhë është e papranueshme dhe e pajustifikueshme”.

Më herët ish agjenti i FBI-së, Brat Garrett kishte thënë: “Shqetësimi më i madh është nëse ata do të kishin pasur tjetër qëllim. A do të mund të kishin sulmuar fizikisht ndonjë njeri? Patjetër që do të kishin mundur".

Drejtori Sallivan nuk diskutoi detajet e hetimit të agjencisë së tij për incidentin, por nuk përjashtoi mundësinë e akuzave penale për çiftin. Ai tha se Presidenti Obama nuk kishte qenë për asnjë moment në rrezik.

"Jam i bindur nga çka kam dëgjuar, nga ç’kam parë apo nga informacioni që kam marrë se ata nuk përbënin rrezik për presidentin”.

Zoti Sallivan u tha ligjvënësve se kur u zbulua se çifti Salahi nuk ishte në listën e të ftuarve, personeli i Shërbimit Sekret duhet të kishte njoftuar stafin e Shtëpisë së Bardhë për ndihmë. Ai tha se tre agjentët përgjegjës për shkeljen janë pezulluar.

Kongresmeni republikan Majkëll Mekoll dhe anëtarë të tjerë të komisionit ishin shokuar nga kjo ngjarje. “Si ka mundësi që ky çift të lejohej nga shërbimi sekret?”

“Unë ia kam bërë këtë pyetje vetes 1000 herë, gjatë javës së fundit. A është e lehtë për mua dhe shërbimin sekret që një gjë e tillë ndodhi? Më besoni, ne po kritikojmë veten çdo moment për atë që ndodhi. Ne nuk duam që ngjarje të tilla të ndodhin”, u përgjigj zoti Sullivan.

Incidenti ndodhi gjatë darkës së parë shtetërore të Presidentit Obama. Shërbimi Sekret thotë se çifti nuk ishte në listën e të ftuarve, por vetë ata thonë se në fakt ishin të ftuar.

“Ne ishim të ftuar dhe jo njerëz që hynë pa leje. Askush nuk do të kishte pasur guximin, apo paturpësinë ta bënte një gjë të tillë. Jeta jonë është shkatërruar”.

Çifti Salahi dhe Sekretarja Sociale e Shtëpisë së Bardhë Dezire Roxhers ishin thirrur për të dëshmuar dje, por nuk u paraqitën. Michaele dhe Tareq po përpiqen të bëhen pjesë e një spektakli për jetën e disa njerëzve të njohur në qarqet sociale të Uashingtonit. Ata nxorrën një deklaratë të mërkurën ku shpreheshin se kishin dhënë gjithë informacionin e duhur për Shërbimin Sekret dhe anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Republikanët dhe kritikë të tjerë janë shprehur se edhe stafi i Shtëpisë së Bardhë dhe kryesisht personi kryesor që u mor me organizimin e darkës,

Dezire Roxhers duhet të mbajnë përgjegjësinë që nuk kishin asnjë pjesëtar të personelit të pranishëm për identifikimin e të ftuarve. Por vetë Shtëpia e Bardhë ka dashur ta mbyllë këtë debat duke qëndruar në krah të zonjës Roxhers.


XS
SM
MD
LG