Lidhje

Disa sulme vetëvrasëse në Pakistan shkaktojnë 36 viktima


Zyrtarë pakistanezë thonë se persona të armatosur kanë sulmuar një xhami pranë zyrave ushtarake në Ravalpindi, duke vrarë të paktën 36 besimtarë, mes tyre 6 oficerë dhe duke plagosur mbi 40 të tjerë.

Policia tha se 4 autorë sulmesh vetëvrasëse me bombë hodhën granada dhe hapën zjarr, ndërsa më pas hodhën veten në erë në xhami, pas lutjeve të mëngjesit të së premtes. Zyrtarët thanë se mes të vrarëve ishin 17 fëmijë dhe 10 civilë, si dhe të katër autorët e sulmit.

Forcat e sigurisë e rrethuan skenën e ngjarjes, ndërsa ambulancat nxituan t’i çonin viktimat në spital. Ky ishte më i fundit i një serie sulmesh që kanë ndodhur kohët e fundit në Pakistan, që kur qeveria filloi një ofensivë kundër Al–Kaidës dhe talebanëve në rajonin veriperëndimor përreth Afganistanit. Po këto zyra të ushtrisë u sulmuan nga militantët talebanë edhe në tetor, duke shkaktuar 20 viktima.

Një analist i sigurisë dhe njëkohësisht oficer i ushtrisë pakistaneze i dalë në pension i tha Zërit të Amerikës se mendon që talebanë të armatosur po përqëndrohen në ato që ai i cilësoi “objektiva të butë”, për të krijuar konfuzion dhe për të goditur forcat ushtarake të vendit.//lk


XS
SM
MD
LG