Lidhje

Shtohet konsensusi për ndryshimet klimatike para takimit në Kopenhagë


Konferenca e Kombeve të Bashkuara këtë muaj në Kopenhagë mbi ndryshimet klimatike vjen ndërsa shkencëtarët janë në konsesnus se temperaturat globale po rriten dhe se tendencat e ngrohjes kanë një ndikim të ndjeshëm tek jeta në planet. Sipas raportit të një komisioni ndërqeveritar të OKB-së në vitin 2007, 11 nga 12 vjetët e fundit ishin më të ngrohtët e regjistruar. Megjithëse vazhdojnë mosmarrëveshjet mbi masën në të cilën aktiviteti njerëzor është përgjegjës për ndryshimet klimatike, ngrohja e Tokës nuk është më në dyshim dhe pasojat afatgjata duken përherë e më të zymta.

Thatësira përzhitëse. Përmbytje. Uraganë dhe tajfunë. Akullnaja të zvogëluara. Shkrirja e akullit polar. Këto janë vetëm disa nga dukuritë që shkencëtarët thonë se po bëhen më të zakonshme dhe më të fuqishme apo po ndodhin me një shpejtësi alarmante.

Në Kenia, mungesa e shiut këtë vit, shkatërroi bagëtitë dhe drithrat.

"Thatësira është bërë e pa përballueshme. Nuk ka ushqim, nuk kemi ujë. Është situatë e pashpresë".

Diku tjetër ka shumë ujë. Shirat e rrëmbyer në Brazil në fund të vitit të kaluar lanë dhjetra të vdekur dhe mijëra të pastrehë.

"Prindërit e mi kanë jetuar këtu për 58 vjet dhe asnjëherë s’kanë parë shi si ky".

Edhe në rajonet ku moti i dhunshëm është i zakonshëm si në Filipine, rastet e stuhive masive janë shtuar. Në fillim të vitit, një seri ciklonësh shkatërruan pjesën më të madhe të Bangladeshit.

"Do të bëhet e pamundur të jetosh në këtë tokë me ciklone të tillë, njëri pas tjetrit. Jemi të varfër dhe pas këtij cikloni të tretë nuk na ka mbetur asgjë".

A janë këto katastrofa thjeshtë rastësi apo pjesë e një modeli që paralajmëron një të ardhme të zymtë për botën e gjallë? Askush nuk mund të thotë me siguri por disa tregues mund të shihen qartë. Nga Alaska në Zvicer e në Argjentinë akullnajat që datojnë para njerëzimit po pakësohen. Në të dyja polet e Tokës, akulli po shkrin, sipas shkencëtarëve, me ritme alarmante, duke rrezikuar një numër speciesh. Me kalimin e kohës rritja e nivelit të deteve do të riformatojnë terrenin tokësor duke sjellë pasoja në vendet që janë nën nivelin e ujit.

Debati vazhdon në se është thjeshtë aktiviteti njerëzor përgjegjës për ndryshimet klimatike, por shumë shkencëtarë theksojnë emetimin e karbonit nga karburanti si kontribuesin kryesor. Cilido të jetë shkaku, thonë ekspertët, kostoja e ngrohjes së planetit është e madhe, veçanërisht për vendet e varfëra dhe më të prekshme. Ekonomisti i lartë i Bankës Botërore, Justin Lin.

"Sipas llogaritjeve tona, 75 deri në 80 përqind e dëmeve do të mbarten nga vendet në zhvillim. Për këto vende, ndryshimi i klimës është diçka që nuk mund të injorohet".

Për vite, njerëzit në mbarë botën kanë dëgjuar paralajmërime nga shkencëtarët rreth ndryshimeve klimatike të theksuara nga një numër evidencash që tregojnë ngrohjen e planetit dhe shembuj shqetësues të pasojave tragjike që mund të sjellë kjo. Por paralajmërimet dhe ngjarjet e fundit nuk kanë sjellë një përpjekje të koordinuar mbarëbotërore për të luftuar ndryshimet klimatike sipas ish nënpresidentit amerikan Al Gore i cili fitoi çmimin Nobel për përpjekjet e tij në rritjen e ndërgjegjësimit për ngrohjen globale.

"Është në dorën tonë të kemi parasysh këto paralajmërime, të reagojmë ndaj tyre dhe të marrim masa për të parandaluar dëmet. Kemi çdo gjë për të vepruar, ndoshta jo vullnetin politik".

Ky vullnet politik do të testohet me siguri në Kopenhagë.

XS
SM
MD
LG