Lidhje

Protesta ndaj gjykimit në Nju Jork të të dyshuarve për terrorizëm

  • Victoria Cavaliere

Protestuesit u mblodhën para një gjykate federale në qytetin e Nju Jorkut për të protestuar ndaj vendimit të administratës së presidentit Obama për të gjykuar në gjykatë civile pesë të dyshuarit për komplotin e sulmeve terroriste të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Viktoria Kavaliere njofton nga Nju Jorku se si të mbijetuarit e sulmeve të 11 shtatorit, ashtu edhe njujorkezë të shqetësuar për këtë çështje, thonë se të dyshuarit për terrorizëm janë kriminelë lufte dhe duhet të gjykohen në gjykata ushtarake.

Demonstrata u zhvillua para gjykatës së Manhatanit ku organizatori i rrëfyer i sulmeve të 11 shtatorit Kalid Sheik Muhamed dhe katër bashkë-komplotuesit e tjerë do të dalin para gjyqit.

Rreth 100 kundërshtarë u mblodhën pavarësisht nga shirat e ftohta dje për t’i bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm Erik Holder ta kthejë mbrapsht vendimin e tij dhe t’i gjykojë të dyshuarit para gjykatave ushtarake.

Debra Bërlingejm, vëllai i së cilës ishte piloti i aeroplanit që goditi Pentagonin, i tha turmës se beson që gjykimi do të shërbejë si platformë ku të dyshuarit për terrorizëm do të mund të shprehin ideologjinë e tyre ekstremiste.

“Ata do ta përdorin atë gjykatë për ta vënë vendin tonë para gjyqit, për të njollosur viktimat, për të shtuar dhimbjen e familjeve dhe për të turpëruar gjykatësin dhe vendin tonë. Ky nuk është plani i duhur.”

Xhein Kalo, një banore që mori pjesë në protestë, tha se nuk ka frikë për sigurinë e jetës së saj, por beson se pesë të dyshuarit janë kriminelë lufte dhe nuk duhet të kenë të njëjtat të drejta ligjore dhe mbrojtje sikurse shtetasit amerikanë.

"Mendoj se kjo është e tmerrshme dhe ne duhet të ngremë zërin. Këto janë kriminelë, janë terroristë dhe duhet të gjykohen në gjykatat ushtarake, jo këtu, në gjykata civile.”

Nga ana e tij, zoti Holder ka vënë në dukje se shumë të mbijetuar të sulmeve të 11 shtatorit e mbështesin mbajtjen e gjykimeve në Manhatan.

Ai thotë gjithashtu se ka më pak ndryshime mes rregullave të gjykatës federale dhe komisioneve ushtarake, duke përfshirë mbrojtjen e informacioneve sekrete, seç mendojnë disa kritikë.

XS
SM
MD
LG