Lidhje

Gejts: SHBA nuk kanë dijeni për vendndodhjen e bin Ladenit


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts tha se për vite me radhë Shtetet e Bashkuara nuk kanë dijeni rreth vendndodhjes së Osama bin Ladenit.

Në intervista të transmetuara sot nga rrjetet televizive amerikane, sekretari Gejts, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton dhe Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Xhejms Xhons, theksuan rëndësinë e vrasjes ose kapjes së udhëheqësit të al Kaidës.

Zoti Xhons tha se në bazë të informacioneve të zbulimit, bin Ladeni ndodhet në zonat fisnore të Vaziristanit verior të Pakistanit, megjithëse ai shtoi se ka tregues se udhëheqësi i al-Kaidës kalon gjithashtu kohë në zonat e largëta malore matanë kufirit në Afganistan.

Zyrtarët pakistanezë kanë këmbëngulur për një kohë të gjatë se bin Ladeni nuk është në vendin e tyre. Megjithë këto deklarata kontradiktore, Sekretarja Klinton tha se pakistanezët kanë pasur një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin përballë terrorizmin dhe tani i shohin grupet militante si një kërcënim në rritje për kombin e tyre.

Zyrtarët amerikanë mbrojtën gjithashtu vendimin e presidentit Barak Obama për dislokimin fillimisht të 30 mijë trupave shtesë në Afganistan përpara se të fillojë tërheqja e forcave mbas 18 muajsh.

Ata thanë se afati i tërheqjes nuk është përcaktuar saktësisht, por do të varet nga kushtet në Afganistan. (ze)

XS
SM
MD
LG