Lidhje

Klima: Shtohen thirrjet që vendet në zhvillim të bëjnë më shumë


Zyrtarë të OKB-së, ekspertë të klimës, aktivistë për mjedisin dhe mbi 60 udhëheqës botërorë janë mbledhur në Kopenhagë për një konferencë 2-javore mbi ndryshimet klimatike. Synimi i konferencës është të arrihet një marrëveshje me fuqi ligjore, e cila t’u presë rrugën aktiviteteve që sjellin ngrohjen globale. Megjithatë ka shumë paqartësi lidhur me mënyrën si mund të arrihet ky objektiv dhe si kjo marrëveshje do të vihej në zbatim.

Diplomatë nga 192 vende që janë mbledhur në Kopenhagë deklaruan se ky mund të jetë shansi i fundit më i mirë për të arritur një marrëveshje që do të mbronte globin nga dëmet shkatërrimtare të ngrohjes. Konferenca, që është rezultantja e një procesi 2-vjeçar negociatash të ndezura, filloi me një ton pozitiv pas një numër premtimesh nga vende të pasura dhe në zhvillim për të reduktuar sasinë e gazeve të çliruara në atmosferë.

Kryeministri i Danimarkës Lars Loeke Rasmussen tha se krerët e shteteve që do të ndjekin punimet e konferencës do ta shndërrojnë takimin e Kopenhagës në grumbullimin më të madh dhe më të rëndësishëm të zhvilluar ndonjëherë për klimën.

Synimi i konferencës së Kopenhagës është të reduktojë gazet ndotëse dhe dëmin masiv që do t’i shkaktojnë këto gaze planetit, nëse nuk veprohet me shpejtësi, paralajmërojnë ekspertët.

Grupet aktiviste për mjedisin kërkojnë masa urgjente, thotë Charlie Kronick, këshilltar për organizatën Greenpeace në Britani:

“Duhet të kemi një marrëveshje me fuqi ligjore për pakësimin e gazit karbonik në vendet e zhvilluara sa më parë që të jetë e mundur. Përveç kësaj duhet të marrim një angazhim serioz për fonde nga vendet e zhvilluara në ndihmë të vendeve në zhvillim për transferim teknologjie, për mbrojtjen e pyjeve dhe për masa në përgjigje të ndryshimeve klimatike.”

Synimi është të pakësohen gazet që çlirohen në atmosferë, të cilat konsiderohen si shkaktare të ngrohjes së planetit. Meqë vendet e zhvilluara kanë qenë ndotësit kryesorë prej vitesh, presioni ndaj tyre është më i madh për të pakësuar këto gaze.

Por, po shtohen thirrjet që vendet në zhvillim të bëjnë më shumë. Këto vende nga ana e tyre kërkojnë ndihma financiare për të realizuar tranzicionin. Të dyja këto grupe duhet të punojnë së bashku thotë Nick Nuttall, zëdhënës i Programit të OKB-së për Mjedisin:

“Presim që në Kopenhagë të arrijmë një partneritet global ndërmjet Veriut dhe Jugut, ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim të shpejtë. Edhe vendet në zhvillim duhet të përfshihen në këtë partneritet të përbashkët, pasi kjo është e vetmja rrugë drejt zgjidhjes.”

Pjesa më e madhe e shkencëtarëve thonë se ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti i njeriut dhe se është në dorën e njeriut ta ndalë këtë prirje. Por janë objektivat politike dhe ekonomike që bëhen pengesë, thotë Charlie Kronick i organizatës Greenpeace:

“Në përgjithësi qeveritë dhe politikanët kudo në botë i kanë sytë tek kostoja që kanë këto masa. Ata harrojnë faktin që është më mirë të shpenzohen para tani se sa në të ardhmen. Sa më i thellë të bëhet problemi, aq më shumë kushton zgjidhja e tij.”


Organizimi i konferencës së Kopenhagës u bë me synimin që të hartohej një marrëveshje që të zëvendësojë Traktatin e Kiotos, i cili parashikonte reduktim të gazeve të çliruara. Traktati skadon në vitin 2012. Disa analistë thonë se ky traktat ishte i dështuar që në fillim, pasi Shtetet e Bashkuara nuk e nënshkruan kurrë.

Por Presidenti Barak Obama do të marrë pjesë në konferencën e Kopenhagës, ku do të paraqesë propozimet amerikane për ndryshimet klimatike:

“Në këtë moment qeveritë duhet të vendosin nëse popunojnë seriozisht për objektivin kundër ndryshimeve klimatike dhe se çfarë do të bëjnë.”

Ndërkohë që konferenca e Kopenhagës fillon punimet, pritet të shihet se sa të angazhuar janë politikanët. //ii

XS
SM
MD
LG