Lidhje

Gjeneral McChrystal: 18 muajt ne vazhdim kritike per Afganistanin


Komandanti i trupave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal, thotë se 18 mujat e ardhëshëm janë shumë të rëndësishëm për sprapsur avantazhet e Talibanit në vend. Gjenerali McChrystal u paraqit dje në Kongres krahas ambasadorit amerikan në Kabul, Karl Eikenberry, ku tha se beson se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të vazhdojnë të ndihmojnë forcat e sigurimit në Afganistan për t’u aftësuar të mbajnë rendin dhe qetësinë në vend në një periudhë afatgjatë.


Gjenerali Stanley McChrystal thotë se përparimi i bërë në luftën kundër kryengritësve talibanë duhet të jetë i dukshëm shpejt për civilët afganë.

"Besoj se 18 muajt e ardhëshëm janë një periudhë kritike në këtë luftë, sepse ato janë kritike në mendjet e popullit aftan”.

Gjenerali McCrystal u tha ligjvënësve në Kongres se ka besim se do të raportojë përparim real deri në dhjetor të vitit 2010.

"Dhe në verën që do të pasojë, në korrik të vitit 2011, mendoj se përparimi do të jetë padiskutin i qartë për popullin afgan. Dhe kur të jetë kaq e qartë për ta, do të shënohet një kthesë vendimtare”.

Presidenti Barack Obama njoftoi më herët këtë muaj se do të dërgojë 30 mijë trupa të tjera në Afganistan dhe do të fillojë tërheqjen e trupave në korrik të vitit 2011. Ky vendim pasoi disa muaj diskutimesh në nivel të lartë për strategjinë amerikane në Afganistan.

Në dëshmitë që dhanë para nënkomisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, gjenerali McChrystal dhe ambasadori amerikan në Kabul, Karl Eikenberry, thanë se mbështesin vendimin e presidentit.

Ambasador Eikenberry tha se nuk ka qënë kurrë kundër dërgimit të më shumë trupave në Afganistan.

Gjenerali McChrystal tha se nuk shikon ndonjë problem për fillimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në korrik të 2011.

Ligjvënësit ngritën pyetjen nëse populli afgan do të arrijë t’i besojë qeverisë së Presidentit, Hamid Karzai, që është akuzuar në masë për korrupsion.

Ambasadori Eikenberry thotë se Kabuli ka bërë përparim, megjithatë mbetet ende për t’u bërë.

"Esenciale në dy vitet e ardhëshme për administratën e Presidentit Karzai në partneritet me ne dhe me mbështetjen ndërkombëtare, do të jetë marrja e masave më të forta për një qeverisje më të përgjegjëshme”.

Më herët, Presidenti Karzai mbajti një konferencë për përbashkët shtypi me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates. Zoti Karzai tha se mund të kalojnë edhe 20 vjet para se Afganistani të jetë në gjendje të paguajë për mbajtjen e forcave të tij të sigurimit.

Ambasadori Eikenberry tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhat ta ndihmojnë për një kohë të gjatë Afganistanin.

"Ne duhet të japim ndihmë në aspektin e stërvitjes, të buxhetit, e të tjera në vitet e ardhëshme”.

Ambasadori Eikenberry tha se ndihma civile amerikane ka për qëllim forcimin e ekonomisë së vendit, në mënyrë që ai të kontribuojë më shumë në sigurinë e tij. //iç//

XS
SM
MD
LG