Lidhje

Gjenerali Petreas: Përparimi në Afganistan mund të jetë i ngadaltë


Gjenerali i ushtrisë amerikane Dejvid Petreas thotë se suksesi në luftën në Afganistan është i mundur, por përparimi kundër kryengritjes do të jetë më i ngadaltë se gjatë rritjes së numrit të forcave amerikane para du viteve në Irak. Gjenerali i bëri komentet dje para komisionit të senatit për marrëdhëniet me jashtë.

Gjenerali Petreas, i cili udhëhoqi shtimin e trupave në Irak, thotë se e mbështet vendimin e presidentit Obama për të dërguar 30 mijë ushtarë të tjerë në Afganistan sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zoti Petreas i tha komisionit të senatit për marrëdhëniet me jashtë se megjithëse forcat amerikane dhe ato të NATO-s mund ta mposhtin al-Kaidën dhe të zbehin fuqinë e Talebanit, lufta nuk do të jetë e lehtë.

“Megjithëse është e vështirë, ndryshe dhe në një farë mënyre më i ndërlikuar se Iraku, Afganistani nuk është më i pashpresë seç ishte Iraku kur unë mora komandën atje në shkurt 2007. Madje, niveli i dhunës dhe numri i civilëve të vrarë në Irak ishte pak më i lartë seç kemi parë në Afganistan. Por arritja e përparimit në Afganistan do të jetë e vështirë dhe përparimi do të jetë më i ngadaltë se sa në Irak.”

Gjenerali Petreas, komandanti i Komandës Qendrore Amerikane, tha se mendon që strategjia e re do ta kthejë mbrapsht inercinë e fituar nga Talebani, do ta rrisë efikasitetin e forcave afgane të sigurisë dhe do të ndihmojë në krijimin e kushteve për fillimin e tërheqjes së trupave amerikane pas 18 muajsh.

Megjithatë, ai paralajmëroi se luftimet do të intensifikohen dhe do të ketë më shumë probleme brenda qeverisë afgane gjatë muajve të ardhshëm.

“Dhuna fillimisht ka të ngjarë të rritet, veçanërisht gjatë pranverës kur moti fillon të përmirësohet. Për më tepër, tani që qeveria afgane, me nxitjen e ndërkombëtarëve, fillon të luftojë korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit, rezultatet do të sjellin më shumë njoftime për këto probleme dhe më shumë trazira brenda qeverisë ndërkohë që identifikohen zëvendësohen personat që i kryejnë këto shkelje.”

Gjenerali i bëri komentet përkrah ambasadorit amerikan në Afganistan Karl Aikenberi.

Zoti Aikenberi më parë kishte shprehur shqetësim ndaj shtimit të trupave, por i tha komisionit se tani ai e mbështet plotësisht planin e presidentit.

Por ambasadori vuri në dukje dy rreziqe gjatë zbatimit të strategjisë.

“E para është se pavarësisht nga çfarë bëjmë ne, Afganistani mund të mos arrijë të marrë përsipër detyrën bazë të qeverisjes dhe të sigurisë në kohën e duhur. E dyta, është partneriteti ynë me Pakistanin. Përpjekjet që po bëjmë në Afganistan ka të ngjarë të mos i përmbushin synimet tona strategjike, nëse nuk bëhet përparim në zhdukjen e vendstrehimeve të përdorura nga Talebani afgan dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda Pakistanit.”

Administrata e presidentit Obama po i bën presion Pakistanit të zhvillojë operacione kundër vendstrehimeve të Talebanit dhe al-Kaidës brenda kufijve të tij.

Gjenerali Petreas lavdëroi përpjekjet e fundit ushtarake nga ushtria pakistaneze kundër ekstremistëve, duke i quajtur këto zhvillime shumë pozitive dhe të rëndësishme. //bsa//

XS
SM
MD
LG