Lidhje

Gjykata e Lartë vendos të pranojë aktpadi ndaj Fatmir Mediut

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri Gjykata e Lartë vendosi sot të pranojë dy padi penale ndaj zotit Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.

Zoti Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes kur ndodhi shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, është akuzuar nga një fëmijë 11 vjeçar Roxhers Durdaj dhe nga Alketa Hazizajt, të dy të plagosur rëndë me djegie në afër 70 përqind të trupit nga vala e shpërthimit. Padia ndaj zotit Mediu është për plagosje me pasoja të rënda.

Gjykata e Lartë përcaktoi sot edhe trupat gjykues për të dy këto padi dhe ajo do të vendosë nëse do të hapë apo jo proces gjyqësor. Nëse po, atëherë Gjykata do të duhet t'i kërkojë parlamentit heqjen e imunitetit për zotin Mediu.

Ishte pikërisht imuniteti parlamentar që ai fitoi pas zgjedhjeve të 28 qershorit arsyeja për të cilën Gjykata e lartë pushoi procesin ndaj tij për ngjarjen e Gërdecit.

Nderkohë, Gjykata e lartë ka pranuar edhe padinë e bërë nga një prej ndërtuesve të njohur në vend, Artan Dulaku i cili ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha për shpifje dhe fyerje. Zoti Dulaku është gjithashtu aksioner i televizionit Vizion Plus.//lk

XS
SM
MD
LG