Lidhje

BE bën  thirrje për sanksione shtesë ndaj Iranit


Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për masa shtesë kundër Iranit, që nuk ka pranuar të ndalë veprimtaritë e tij bërthamore. Udhëheqësit e BE-së nxorën një deklaratë sot në Bruksel ku thuhej se “refuzimi i vazhdueshëm i Iranit për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe mungesa e interesit që ka shfaqur Teherani lidhur me vazhdimin e negociatave, kërkojnë një përgjigje të qartë.”

Kryeministri britanik Gordon Brown tha se vendi i tij është i përgatitur të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve dhe Presidenti francez Nikolas Sarkozi nënvizoi hapat që duhen marrë për ta bindur Teheranin të bashkëpunojë. Në komentet gjatë vizitës sot në Irak, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha se pret që ndaj Iranit të merren sanksione domethënëse lidhur me programin e tij bërthamor nëse Teherani nuk e ndryshon kursin duke zbatuar marrëveshjet e arritura në tetor.

Ai po i referohej një marrëveshjeje të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që i bën thirrje Iranit ta dërgojë uraniumin e shkallës së ulët për t’u përpunuar jashtë vendit. Irani e kundërshtoi marrëveshjen. Vendet perëndimore dyshojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon.//lk

XS
SM
MD
LG