Lidhje

SHBA: Qindra protestues para Shtëpisë së Bardhë kundër luftës

  • Nico Colombant

Dje qindra protestues u mblodhën pranë Shtëpisë së Bardhë në përpjekje për të filluar një lëvizje të re kundër luftës. Demonstratat e ditës së djeshme vijnë pas fjalimit të presidentit Obama në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel për paqe, ku ai tha se lufta nganjëherë nevojitet për të vendosur paqen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Niko Kolombant njofton se demonstruesit në Uashington e kundërshtojnë këtë pikëpamje, si dhe kërkesën e presidentit për dërgimin e 30, 000 trupave të tjera amerikane në Afganistan.

“Bëje çështje personale, sepse vrasja është çështje personale."

Ish senatori demokrat nga Alaska dhe kandidat presdidencial në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, Majk Gravel udhëhoqi protestuesit në brohoritjet kundër luftës, ndërkohë që ata bënin thirrje për një lëvizje masive për të ndaluar luftërat amerikane në Irak dhe Afganistan.

Ky tubim që ishte i mbushur me parulla për paqen dhe kundër luftës, ku një njeri ishte veshur me rrobat e të të burgosurve nga Guantanamo, filloi në një kohë me diell por të ftohtë dhe shoqërohej me muzikë hip-hop nga grupi Head-Roc.

Folësi kryesor në këtë ngjarje ishte kongresmeni i tanishëm demokrat nga Ohajo Denis Kusiniç.

"Ne duhet të të mblidhemi, të protestojmë, të marshojmë për të ushtruar detyrën tonë qytetare për të sjellur ndryshim të vërtetë. Kongresi duhet të marrë përgjegjësinë. Unë së shpejti do të paraqes dy projekligje për të vënë në jetë Aktin mbi Kompetencat për Shpalljen e Luftës, i cili do të detyrojë votimin mbi tërheqjen nga Afganistani. Vendimi për të shkuar në luftë nuk i takon vetëm presidentit.”

Por zoti Kusiniç e pranoi se kongresi ka plane të tjera mbi këtë çështje.

“Javën tjetër, kongresi do të paraqesë kompensimet për të papunët në një projektligj i cili do të përfshijë 130 miliard dollarë për të vazhduar luftën në Afganistan dhe Irak. Mesazhi është shumë i qartë, ne kemi para për luftë, e jo për punësim, ne kemi para për luftë, e jo për paqe.”

Të gjithë folësit bënin thirrje për kthimin e sigurt të gjithë trupave amerikane, ndalimin sulmeve, torturave, dhe burgjeve sekrete, ndërkohë që policia vëzhgonte dhe këngëtarë si Xhordan Pejxh jepnin intervale muzikore.

XS
SM
MD
LG