Lidhje

Kryeministri Berluskoni do të qendrojë edhe një natë në spital


Zyrtarët italianë thonë se Kryeministri Silvio Berluskoni do të qendrojë edhe një natë tjetër në spital pas incidentit të djeshëm në të cilin ai u qëllua nga një person me një statujë të vogël. Ndihmësit e tij thanë se pas një nate të qetë, zoti Berluskoni u zgjua sot në mëngjes me një dhimbje koke dhe kërkoi t’i sillnin gazetat për të lexuar lajmet mbi ngjarjen e djeshme.

Kryeministri Berluskoni kaloi një natë të qetë në spitalin San Raffaele të Milanos. Më pas u vizitua nga ndihmës të tij të afërt.

Kryeministri u godit me një statujë të vogël dje pas një mitingu në Milano, kur po jepte autografë. Goditja e la të gjakosur në fytyrë dhe mjekët thonë se mund të duhen rreth 20 ditë që ai ta marrë veten pasi ka pësuar thyrje të hundës dhe të dy dhëmbëve si dhe dëmtim të buzëve.

Ndihmësit e futën menjëherë në një makinë por pas pak ai doli prej andej siç duket për të treguar se nuk ishte dëmtuar shumë.

Mjeku personal i kryeministrit, i cili ishte i pari që i erdhi në ndihmë, tha se kryeministri ishte i tronditur dhe nuk e kuptoi menjëherë sa fort ishte goditur.

Një pankartë në portën e spitalit i uronte zotit Berluskoni shërim të shpejtë. “Italianët e vërtetë janë me ju,” thuhej aty.

Policia ka arrestuar autorin e incidentit, 42 vjeçarin Massimo Tartaglia, për të cilin thuhet se vuan nga probleme mendore.

Pas marrjes në pyetje gjatë natës, personi u dërgua në burgun San Vittore të Milanos.

Zyrtarët më të lartë italianë, duke përfshirë udhëheqësit e opozitës, e dënuan sulmin ndaj kryeministrit.

73-vjeçari Berluskoni refuzon të thërrasë zgjedhje të parakohëshme edhe pse popullariteti i tij ka rënë për shkak të sksandaleve seksuale dhe gjyqeve për korrupsion.

Dhjetra mijra italianë marshuan në Romë më 5 dhjetor, për të kërkuar dorëheqjen e zotit Berluskoni, marshim që organizatorët e quajtën “Dita pa Berluskonin”. //ii

XS
SM
MD
LG