Lidhje

Presidenca e zotit Obama gjatë vitit  2009, nën këndvështrimin e analistëve


Ndërkohë që afrohet fundi i vitit të parë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Barak Obama po përgatitet për vitin 2010. Ekonomia e vendit, lufta në Afganistan dhe zgjedhjet e nëntorit për në kongresin amerikan mund të përcaktojnë nëse presidenti do të jetë në gjendje të avancojë agjendën e tij.

Presidenti Barak Obama e përqendroi kryesisht vëmendjen gjatë 2009 tek ekonomia amerikane, duke vizituar fabrika dhe promovuar planin e tij të rimëkembjes ekonomike.

Ndërkohë që nëntori 2010 sjell edhe zgjedhjet e pjesshme në kongres, redaktori politik Nathan Gonzales me Rothernberg Political Report, beson se presidenti do ta kalojë një pjesë të konsiderueshme të vitit që vjen në të njëjtën mënyrë. Ai thotë:

"Më e keqja që mund të ndodh për presidentin dhe demokratët është që ekonomia të vazhdojë të përkeqësohet dhe të fajsohen për këtë. Nëse këto ndodhin, do të jetë një rezultat katastrofik në ditën e zgjedhjeve."

Shifrat e fundit tregojnë se ekonomia amerikane po përmirësohet.Por papunësia është shtuar më shumë se këtu e 26 vite të shkuara. Ish kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Ed Gillespie thotë se shumë amerikan fajsojnë zotin Obama për shtimin e papunësisë.

"Ata do të shikojnë taksat e larta të zotit Obama, shpenzime më të mëdha, më shumë borxhe, ndërhyrje më të mëdha të qeverisë në ekonomi, në banka, në industrinë automobilistike, në kujdesin shëndetësor dhe në energji dhe do ta mbajnë përgjegjës për mungesën e krijimit të vendeve të punës." - thotë z.Gillespie

Por Robert Borosage me Fushatën për të Ardhmen e Amerikës thotë se presidenti Obama ka parandaluar humbjet e mëtejshme të vendeve të punës. Ai thotë:

"Kemi një president që është munduar të bëjë gjëra të mëdha që janë të rendësishme për vendin. Pastaj kemi një ekonomi të cilën plani i rimëkembjes e mbajti nga përkeqësimi i mëtejshëm dhe që do të rritet."

Ndryshimi i gjendjes në luftën në Afganistan mesa duket do të jetë një tjetër prioritet për presidentin Obama gjatë 2010. Dhuna në Afganistan është shtuar, mbështetja publike për luftën ka rënë, dhe ligjvenësit brenda partisë së zotit Obama e kanë kritikuar planin e tij për dërgimin e dhjetëra mijëra trupave shtesë.

Redaktori politik Nathan Gonzales thotë se me afrimin e zgjedhjeve kongresionale në nëntor, zoti Obama është nën presion për të treguar rezultate.

"Presidenti Obama duhet të tregojë se ka një plan për Irakun dhe Afganistanin, se ai po e zbaton atë dhe se plani po funksionon."

Ish kryetari republikan Ed Gillespie është dakord se presidenti përballet me një situatë të vështirë.

"Kur je president i Shteteve të Bashkuara duhet të marrësh vendime të vështira. Mendoj se presidenti Obama tani e ka parë ndryshimin ndërmjet kandidimit për president dhe të funksionimit të detyrave të presidentit."

Ndërkohë që presidenti Obama merret me Afganistanin dhe çështje të tjera të politikë së jashtëme, ai mesa duket do të mundohet të bëjë përparime me agjenden e brendëshme që përfshin reformimin e politikave të imigracionit, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe krijimi i vendeve të punës në industrinë e energjisë së pastërt.

Nathan Gonzales e shikon fushatën elektorale të lërë në hije disa nga nismat kryesore të presidentit.

"Gjatë 2010 do të jetë më e vështirë miratimi i projektligjeve të debatura, sepse demokratët do të përqendrohen tek rizgjedhja e tyre."

Shumë nisma të zotit Obama si reforma e kujdesit shëndetësor, nuk do të tregojnë rezultate deri pas zgjedhjeve të nëntorit. David Frum me insitiutin amerikan Enterprise thotë se amerikanët po humbasin durimin.

"Askush prej nesh nuk e di se çdo të ndodhë në 2010 dhe ndoshta do të nxjerrë rezultate në të ardhmen. Por sigurisht që nuk ka rezultate tani."

Por Robert Borosage me Fushatën për të Ardhmen e Amerikës thotë se votuesit do ta kuptojnë se zoti Obama po punon në interesin e tyre më të mirë.

"Mendoj se nëse presidenti vazhdon të luftojë për reforma që duken qartë se janë për të ardhmen e vendit, ai do të përfitojë dhe demokratët do të përfitojnë."

Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit për në kongresin amerikan dhe e ardhmja e presidencës së zotit Obama edhe një herë mund të varen në fuqinë e tij për të bindur publikun. //mm//

XS
SM
MD
LG