Lidhje

DeNardis: Me zgjedhjet lokale, Kosova e kaloi provën


Ish kongresmeni amerikan Lawrence DeNardis, i cili ishte kohët e fundit në Kosovë, thotë se me zgjedhjet lokale që u zhvilluan në dy raunde, Kosova e kaloi me sukses provën dhe kjo duhet të jetë një shenjë e qartë për një numër vendesh të botës që nuk e kanë njohur shtetin e ri.

Zoti DeNardis, ka një karrierë politike dhe akademike mjaft impresionuese. Ai është President nderi i Universitetit New Haven të shtetit Kënektikat dhe gjatë presidencës Regan ka shërbyer si Nënsekretar i Shëndetësisë. Vitet e fundit ai merret edhe monitorimin e zgjedhjeve në vende të ndryshme të botës. Zoti DeNardis ishte në Kosovë me ftesë të disa udhëheqësve të Lidhjes Demokratike për të bërë fushatë për ta por edhe për të monitoruar sigurinë e votës.

“Në një demokraci të re si Kosova ka rëndësi të garantohet se zgjedhjet janë të lira e të drejta. Mendoj se mund të thuhet që Kosova e kaloi këtë provë dhe i ka treguar komunitetit ndërkombëtar se ajo është e aftë të administrojë zgjedhje and të garantojë se rezultati përfaqëson vullnetin e atyre që votojnë.”

Zoti DeNardis thotë se zgjedhjet e fundit ishin një shenjë e qartë se vendi është i aftë të qeverisë veten dhe kjo duhet të jetë një shenjë e qartë edhe për një numër vendesh të botës që nuk e kanë njohur Kosovën e që tani mund të ndihen të motivuar për ta bërë këtë.

Si rrjedhojë e zgjedhjeve lokale, tha zoti DeNardis, skena politike ka pësuar ndryshime. Zgjedhjet e përgjithshme që do të duhet të mbaheshin më 2011, mund të bëhen më herët, më 2010, si pasojë e nevojës për të sqaruar vullnetin e popullit të Kosovës.

"Pas disa javësh mendoj, do të shohim se partitë kryesore politike do të arrijnë në përfundimin se do të duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare që mund të zhvillohen pranverën e ardhshme por më shumë mundësi ka në vjeshtën e vitit 2010."

Ish kongresmeni amerikan tha se ndonëse zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në veri të Kosovës, kjo nuk mund të thuhet për ata në pjesën qendrore dhe jugore të vendit megjithë këshillat e Beogradit që të mos merrnin pjesë. Megjithatë, ai thotë se nuk vuri re shenja tensionesh të mëdha.

"Nuk vura re aspak një gjë të tillë. Unë jam optimist nga natyra dhe mendoj se një ditë do të arrihet një zgjidhje. Faktet janë shumë të qarta kur udhëton në Kosovë. Republika e Kosovës është shëndoshë e mirë, ajo administron zgjedhje, është njohur nga mëse 60 shtete të botës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, si një vend i pavarur funksional dhe kjo nuk do të ndryshojë. Këto janë faktet e qarta në terren."

KFOR-i ka vendosur të shkurtojë 10 mijë trupa nga forca e tij në muajin janar. Ish kongresmeni DeNardis tha se nuk e shikon si problem shkurtimin e trupave ndërkombëtare:

"Nuk pashë shenja të mungesës së stabilitetit, nuk pashë shenja problemesh dhe vërtet që KFOR-i do t’i pakësojë forcat por ai ende ka shumë trupa dhe prania ndërkombëtare në Kosovë është ende e madhe. Kjo mund të vihej re fare qartë kur hyn dhe kur del nga Kosova. Mendoj se pakësimi i trupave do të ndodhë dhe do të ndodhë në bazë të një plani të organizuar."

Zoti DeNardis thotë se nuk shikon nevojën për ndonjë shtim të pranisë amerikane në Kosovë.

"Mendoj se në Shtetet e Bashkuara ekziston mendimi se Kosova, të cilën Amerika e mbështet fuqishëm, ka hyrë tashmë në rrugën e pavarësisë dhe të vetqeverisjes dhe jam i sigurt se nëse do të ketë ndonjë vështirësi konkrete, Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin në zgjidhjen e saj. Por tani për tani nuk shikoj ndonjë problem konkret që të kërkonte përfshirjen amerikane."
//ii

XS
SM
MD
LG