Lidhje

Lohan dorëzon pyetësorin, bën thirrje për dialog në parlament


Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Helmut Lohan i dorëzoi Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Europian do të përgatisë opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe bëri thirrje për kapërcimin e ngërçit të tanishëm politik në vend.


Zoti Lohan tha se pyetësori është një një hap i ri historik në marrëdhëniet Shqipëri-BE. Fjala është për mbi 2 mijë pyetje të përfshira në 384 faqe përmes të cilave autoriteteve shqiptare do t’i kërkohet shpjegim për ecurinë e vendit në të gjitha fushat dhe përputhshmërinë me kriteret e anëtarësimit.

Zoti Lohan tha se pyetësori është tregues i seriozitetit me të cilin Bashkimi Europian përpiqet të mbledhë informacionin.

Ai tha se Komisioni Europian do t'i analizojë përgjigjet me kujdes të madh dhe do të bëjë vlerësimin e ecurisë në të gjitha fushat, pëfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori i BE-së bëri thirrje që reformat për intergrimin në BE duhet të bazohen mbi një konsensus sa më të gjerë.

Në një referencë të qartë për mungesën e opozitës në kuvend, zoti Lohan theksoi se vendi për debat politik është brenda parlamentit.

Ai tha se Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha partive politike të ndjekin dialogun kontruktiv, duke përfshirë atë në parlament dhe uroi që ngërçi politik të kapërcehet brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të BE miratoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar prej kohësh se ata kanë kryer të gjitha përgatitjet për të nisur menjëherë nga puna me pyetësorin.

Kjo fazë e procesit zgjat përgjithësisht deri në 18 muaj, por qeveria shqiptare ka deklaruar se shpreson ta përmbyllë dhe të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit të ardhshëm. //ii

XS
SM
MD
LG