Lidhje

Ilinoi do të strehojë të burgosurit e Guantanamos


Administrata Obama njoftoi se ka zgjedhur Qendrën Thomson të Burgimit në shtetin e Illinoit për të vendosur të dyshuarit për terrorizm që tani mbahen në bazën ushtarake amerikane në Gjirin Guantanamo të Kubës. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt mbylljes së burgut në Guantanamo, që presidenti Obama premtoi se do ta kryente brenda vitit të parë në detyrë. Burgu do të blihet nga qeveria federale. Por ekziston gjithashtu një ligj i miratuar nga Kongresi i cili nuk lejon që të ndaluarit e Guantanamos të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara përveç gjykimit. Në fshatin Thomson ka shqetësime por edhe shpresë se transferimi i të burgosurve do të sjellë vende pune dhe para në një zonë që vuan nga papunësia e lartë.

Kur u ndërtua në vitin 2001, Qendra Thomson e Burgimit në perëndim të Illinoit presupozohej të strehonte kriminelët më të rrezikshëm. Por ai ka qënë në pjesën më të madhe bosh ndërkohë që Illinoi ra në krizë financiare. Xhonathan Uitni është publicist i gazetës rajonale Carroll County Review.

"Ky është shpenzimi më i madh kapital që ka bërë ndonjëherë shteti i Illinoit dhe është i pashfrytëzuar."

Shitja e mundshme e burgut Thomson hedh dritë mbi fshatin me gati 600 banorë përgjatë lumit Mississippi. Ndërtesa do të strehojë të dyshuarit si terroristë që mbahen në Guantanamo.

Duke folur me gazetarët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se transferimi i të ndaluarve të Guantanamos në Shtetet e Bashkuara do t’i sjellë ata një hap më pranë drejtësisë dhe siguria nuk do të preket.

"Presidenti ka besim në ushtrinë e këtij vendi. Janë të njëjtët njerëz që menaxhojnë Guantanamon, që do të drejtojnë burgun Thomson."

Ky burg u ndërtua si një qendër e sigurisë së lartë por kryetari i fshatit Xheri Hebeler i kupton shqetësimet që vijnë nga strehimi i terroristëve aty.

"E di se fjala terrorist frikëson shumë njerëz përfshirë edhe mua."

Megjithatë zoti Hebeler e sheh burgun si një mundësi për të frenuar rënien ekonomike në këtë zonë.

"Parashikohen 3 mijë vende pune, një miliardë dollarë fitime në katër vjet. Kjo do të ndihmojë ekonominë. Papunësia këtu është 10 presje 5 përqind. Ndoshta burgu do ta përgjysmojë atë."

Por botuesi i gazetës, Uitni thekson se kur qeveria federale të marrë burgun nën kontroll, banorët do të kenë pak zë për të vendosur se kush do të sillet aty. Të ndaluarit e Guantanamos nuk janë i vetmi shqetësim.

"Së bashku me burgun federal ndoshta do të vijë diçka më e rrezikshme, për shembull njerëz të kartelit të drogës kolumbiane apo të asaj meksikane."

Anëtarë republikanë të Kongresit e kanë kundërshtuar transferimin e të ndaluarve të Guantanamos në Illinoi. Në fillim të vitit, Kongresi miratoi një ligj që i ndalon të burgosurit e Guantanamos të sillen në Shtetet e Bashkuara përveç gjykimit. Mbetet që ky kufizim të hiqet në mënyrë që të përparohet me planet e tjera. //ad//

XS
SM
MD
LG