Lidhje

Tiranë: Gjendja ekonomike e vendit alarmante, deklaron PS


Partia Socialiste e Shqipërisë deklaroi sot se gjendja ekonomike e vendit është alarmante dhe i propozoi qeverisë një seri masash për të ndërhyrë në përmirësimin e situatës.

Socialistët mblodhën sot një sesion të veçantë të asamblesë ku ekspertët e tyre i bënë një analizë zhvillimeve ekonomike. Sipas tyre qeveria po jep shifra të manipuluara rreth gjendjes dhe ekonomia e vendit është në frenim të përgjithshëm. Socialistët bënë përgjegjëse për situatën shumicën në pushtet për keqqeverisje, reforma të munguara dhe keqadministrim të krizës.

Asambleja miratoi një rezolutë në të cilën socialistët propozojnë marrjen e një serie masash, që nga një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, te rishikimi i buxhetit për vitin e ardhshëm apo uljen e përkohshme të taksave për bizneset në rrezik, mbështetjen e monedhës vendase nga Banka e Shqipërisë apo dhe kërkesën për rishikimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë.

Partia Socialiste ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ekonomia e vendit po përjeton sipas saj një periudhë të errët, por qeveria gjithnjë ka kundërshtuar duke deklaruar se Shqipëria dhe ekonomia e saj i përballuan mirë efektet e krizës duke shënuar madje rritje, siç është parashikuar edhe për vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG