Lidhje

Obama: Kemi arritur një marrëveshje domethënëse në konferencën për klimën


Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi se vendet e pasura dhe ato në zhvillim kanë arritur, siç tha ai, një marrëveshje domethënëse në konferencën e OKB-së për Ndryshimin e Klimës. Njoftimi erdhi gjatë orëve të fundit të dy javëve plot me negociata të vështira, megjithëse nuk përmbushi shpresat e disave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sonja Pejs njofton nga Kopenhaga.

Marrëveshja u arrit në darkë vonë as një dite negociatash intensive.

Presidenti Obama njoftoi atë që e quajti arritje domethënëse dhe të paprecedent.

“Për herë të parë në histori, të gjitha ekonomitë e mëdha janë bashkuar për të pranuar përgjegjësinë dhe për të marrë masa për t’u përballur me kërcënimin e ndryshimit të klimës.”

Negociatat ngecën pas mosmarrëveshjeve mbi përpjekjet për reduktimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë, verifikimin dhe financimin.

Ato ishin në qendër të diskutimeve tha zoti Obama.

“Gjatë ditës kemi punuar me shumë vende për të vendosur një konsensus të ri në lidhje me këto tre pika, një konsensus që do të shërbejë si bazë për veprime globale për t’u përballur me kërcënimin e ndryshimit të klimës për vitet që do të vijnë.”

Marrëveshja u kërkon vendeve të rendisin masat që do të marrin për të reduktuar çlirimin e gazeve në sasitë e caktuara dhe që mund të verifikohen.

Kryeministri britanik Gordon Braun e quajti një hap të mirë fillestar, por tha se një traktat me fuqi ligjore duhet të pasojë. Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti gjithashtu një hap të parë dhe bëri thirrje për më shumë masa.

Presidenti Obama e pranoi këtë gjithashtu duke thënë se përparimi në këtë çështje nuk kishte qenë i lehtë dhe se për të arritur diçka duhet bashkëpunim.

“Tani duhet të shfrytëzojmë këtë që kemi arritur në Kopenhagë për t’u siguruar që veprimet ndërkombëtare për reduktimin e çlirimit të gazeve të jenë të qëndrueshme dhe të mjaftueshme në të ardhmen. Kemi arritur shumë, por kemi ende shumë punë për të bërë.”

Marrëveshja është larg kërkesës së ambjentalistëve dhe vendeve në zhvillim. Ata kërkonin një traktat me fuqi ligjore dhe me hollësi të përcaktuara.

Disa grupe ambjentaliste e kritikuan marrëveshjen. Kim Kerstensen i Fondit të Botës së Egër tha se kjo nuk ishte marrëveshje, nuk ishte e drejtë dhe nuk përmbushte kërkesat e botës në zhvillim.

“Është marrëveshje e hartuar nga vendet e mëdha në një dhomë të mbyllur, pa transparencë, pa angazhimin e shoqërisë civile dhe të vendeve të rrezikuara.”

Bisedimet për klimën do të vazhdojnë. Gjermania do të kërkojë takim për këtë çështje gjatë muajve të ardhshëm dhe një takim për ndryshimin e klimës pritet të zhvillohet në Meksikë brenda vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG