Lidhje

Gati heqja e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë


Sonte në mesnatë hyn në fuqi heqja e vizave nga Bashkimi Evropian për shtetasit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Heqja e vizave u ofron këtyre shtetasve lëvizje të lirë në zonën e Shengenit, që përfshin 25 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 3 vende që s’bëjnë pjesë në BE, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën. Dy vendet e Bashkimit që nuk përfshihen në Shengen janë Britania dhe Irlanda.

Heqja e vizave eliminon për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë një nga elementët më irritues për shtetasit e Evropës Lindore në komunikimet me vendet e Evropës Perëndimore. Kërkesat për viza janë kritikuar prej kohësh nga shumë analistë, që i shohin si pengesë ndaj planeve të Bashkimit për ta integruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në bllok.

Milica Deleviç, e cila shefe e zyrës së qeverisë serbe për Integrim në Bashkimin Evropian, thotë se heqja e vizave ka përcjellë një mesazh të fortë se Serbia po pranohet politikisht:

“Deri tani shtetasit serbë e kishin të vështirë të besonin se kishin një perspektivë evropiane. Ata i shihnin kërkesat për viza si një sinjal të fortë se BE-ja nuk i përfillte. Ky është sinjali i parë se ne Evropa na pranon dhe se perspektiva evropiane është reale.”


Heqja e vizave eliminon radhët e gjata në ambasadat perëndimore, që shumë banorë të Ballkanit i konsiderojnë si poshtëruese.

Në Serbi, kjo masë përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për qeverinë pro-perëndimore, e cila ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga nacionalistët lidhur me bashkëpunimin e saj të ngushtë me Perëndimin.

Këtë javë, banorët e Beogradit thanë se e mbështesin këtë hap dhe mirëpresin lehtësirat që ofron kjo masë për të afërmit që mund të udhëtojnë pa problem jashtë shtetit.

Milica Zarkoviç punon për agjencinë turistike Kontiki. Vetëm gjatë 2 javëve të fundit, thotë ajo, është rritur ndjeshëm numri i personave që kanë prenotuar udhëtime për të kaluar Krishtlindjet jashtë vendit, të nxitur nga rregullat e reja:

“Që nga data 30 nëntor, kur u mor vendimin përfundimtar për heqjen e vizave, është rritur numri i personave që prenotojnë udhëtime të shkurtra në qytete Evropiane, veçanërisht për sezonin e fund-vitit.”

Për 40 vjet radhazi, shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë udhëtonin pa viza në Evropën Perëndimore si republika të Federatës Jugosllave, i vetmi vend komunist që u lejonte shtetasve të tij lëvizje të lirë jashtë vendit.

Kërkesat për viza u vendosën në vitin 1991 me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenisë dhe më pas Kroacisë iu ofrua heqja e kërkesave për viza. Tani kjo masë përfshin edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Nga vendet e Ballkanit, BE-ja vazhdon të mbajë kërkesat për vizë vetëm për Shqipërinë, Bosnjen dhe Kosovën, të cilën ende nuk e kanë njohur të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. //ii

XS
SM
MD
LG