Lidhje

Rusi: 130 vjet pas lindjes, Stalini nderohet dhe dënohet


Në fillim të këtij muaji, kryeministri rus, Vladimir Putin, tha se përparimet e bëra nga Bashkimi Sovjetik nën udhëheqjen e diktatorit Josif Stalin u arritën me një çmim të papranueshëm: shtypjen e miliona njerzve. Në të njëjtën kohë, zoti Putin nuk pranoi të bënte të bënte një vlerësim të përgjithshëm të Stalinit. Që të flasësh pozitivisht ose negativisht për Stalinin, tha ai, do të krijoje pakënaqësi tek një grup apo një tjetër.

Pasiguritë mbi Josif Stalinin fillojnë me datëlindjen e tij. Vetë Stalini thoshte se kishte lindur më 18 dhjetor 1878 ... deri sa erdhi në pushtet, por më pas ai tha se kishte lindur më 21 dhjetor 1879.

Fakti që Stalini la të vdisnin nga urija, vrau e internoi miliona njerëz, nuk diskutohet aq shumë sa diskutohet se sa milionë ishin ata. Laureati i çmimit Nobel Alexander Solzhenitsyn dhe të tjerë kanë thënë se ky numër arrin në dhjetra miliona viktima të pafajshme.

Pro-Stalinisti Alexander Batov, Sekretar i parë i Lidhjes Komuniste të Rinisë, thotë se këto shifra janë fantazi, megjithatë ai e pranon se 2 milion njerëz u zhdukën, madje ai shton se shumë prej tyre dhanë jetën për të mirën e përparimit industrial të Bashkimit Sovjetik dhe për fitore në Luftën e Dytë Botërore.

“Por kishte të tjerë, ata që luftuan së pari për vete dhe për mbijetesë. Ata dëmtuan vendin dhe popullin rus. Ata ishin të shtypurit”.

Themeluesi i Bashkimit Sovjetik, Vladimir Lenini paralajmëroi se Stalini ishte i ashpër dhe jotolerant. Në të ashtuquajturin fjalimi sekret në Partinë Komuniste më 1956, pasardhësi i Stalinit, Nikita Krushovi, dënoi mizoritë e diktatorit.

Këshilltari i Krushovit, Fjodor Burlatski i tha Zërit të Amerikës se shefi i i tij bëri gabim kur dënoi personalitetin e Stalinit në vend që dënonte sistemin. Një pjesë e atij sistemi, thotë ai, vazhdon të ekzistojë sot në Rusi, përfshirë këtu edhe servilizmin.

“Shikoni udhëheqësit tanë sot. Ata ulen e lexojnë një letër të rrethuar nga 30-40 zyrtarë të lartë qeveritarë, të cilët thjeshtë dëgjojnë si guakë. Ky nuk është sistem parlamentar. Këto nuk janë marrëdhënie moderne. Qëndrime të tilla i takojnë së kaluarës”.

Zoti Burlatski thotë se baza e sistemit sovjetik të Stalinit rrjedh nga vetë fjala ‘soviet’ që do të thotë ‘këshillë’, pra dhënia e këshillave dhe jo marrja e vendimeve.

“Sovjetikët nuk kishin të ardhme. Ata mund të ishin një institucion për kalimin gradual për gjysëm shekulli në një sistem parlamentar, cilido qoftë emri i tij, që mer një vendim final, miraton ligje. Por sovjetikët thjeshtë konfirmuan ligjet e propozuara nga Këshilli i Ministrave, ose Byroja Politike, që do të thoshte vetë Stalini”.

Zoti Batov thotë se nevoja për të luftuar kundër revolucionarët dhe për të siguruar fitoren mbi Gjermaninë naziste e detyruan Stalinin që të merte pushtet thuajse absolut.

“Fatkeqësisht u bë e domosdoshme që të shkatërrohej sistemi dhe demokracia sovjetike për të mirën e mbijetesës së Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por të mos ishte për ndërhyrjen naziste apo për luftën botërore, sistemi sovjetik do të ishte zhvilluar në forma të tjera, përfshirë edhe demokracinë”.

Duke kujtuar miliona viktimat e sistemit shtypës të Stalinit, presidenti rus, Dmitri Medvedev, tha kohët e fundit se asgjë nuk mund të justifikojë koston humane.

“Jam i bindur se asnjë lloj zhvillimi, suksesi apo ambicje të një vendi nuk mund të arrihen në kurriz të vuajtjeve dhe humbjes së jetës së njeriut. Asgjë nuk është më e lartë se sa vlera e njetës së njeriut”.

Alexander Batov thotë se presidenti Medvedev me hipokrizi po e largon vëmendjen nga rënia vjetore e popullsisë me rreth një milion njerëz në ish republikat sovjetike për shkak të varfërisë dhe urisë. Fjodor Burlatski thotë se Stalini ishte kopja e djallit në tokë, që jo vetëm zhduku të pafajshmit, por i futi frikën të mbijetuarve dhe parandaloi zhvillimin e një sistemi, që do të zgjidhte sot problemet e Rusisë.

Dhe megjithëse nuk pranon të vlerësojë trashëgiminë e Stalinit në tërësi, kryeministri Putin thotë se krimet e udhëheqësit sovjetik kundër popullit të vet janë një fakt që nuk duhet haruar. (ze)

XS
SM
MD
LG