Lidhje

Papunësia e lartë, shqetësim i madh për amerikanët


Këtë muaj, Presidenti Obama mbajti një takim të posaçëm të nivelit të lartë për trajtimin e problemit të papunësisë. Ndërkohë, Departamenti i Punës njofton se niveli i papunësisë në muajin nëntor ishte 10 përqind. Martin Phillips i Zërit të Amerikës vizitoi një zyrë punësimi në Manhatan të Nju Jorkut, ku njerëzit që kanë humbur punën marrin kompensime.

Jashtë zyrës së punësimit njerëzit duken të shqetësuar.

"Dje, punëdhënësit erdhën dhe më hoqën nga puna, më kërkuan të dilja nga ndërtesa dhe më hodhën në rrugë," thotë Eduard Rosato.
Qysh në verë ai është i papunë.

"Nuk më pëlqeu aspak dhe në fakt nuk më bëhej fare ta besoja," thotë Luis Brindëll, e cila po ashtu është pa punë.

Shumë prej njerëzve shqetësohen se kanë mbetur pa para.

Nju Jorku nuk është i vetëm. Firma Caterpillar Tractor e pushoi nga puna Denise Randolph në fillim të këtij viti. Ajo montonte motorë për një uzinë pranë qytetit Peoria, dhe nuk ka gjetur dot punë tjetër.

"Mendova se mund të gjeja ndonjë punë si pastruese shtëpish mirëpo askush nuk të ofron punë, as pastruese nuk bëhem dot," thotë e papuna Denisë Rendolf. Por humori i saj nuk zgjat shumë.

"Është dekurajuese kur përpiqesh të gjesh punë në zanatin tënd dhe nuk gjen dot. Jam e shqetësuar çdo ditë, edhe natën nuk më ze gjumi."

Gjatë Depresionit të Madh, papunësia ishte akoma më e lartë, të paktën 25 për qind. Por ekspertët thonë se nëse llogaritet edhe ata që punojnë me orë të reduktuara ose ata që kanë hequr dorë nga kërkimi i punës, niveli i papunësisë sot do të ishte më shumë se 20 përqind.

Dr. Gertrude Goldberg është profesore e shkencës politike në Universitetin Adelphi të Nju Jorkut.

"Njerëzit janë shumë keq dhe është mjaft dekurajuese kur dëgjon se askush nuk ka nevojë për ty dhe se ti nuk mund të kontribuosh dot me asgjë për shoqërinë."

Disa njerëz përpiqen të ndihmojnë. Në Nju Jork, stilisti Christiano Cora ofron prerje flokësh falas për ato gra që provojnë se janë të papuna.

"Unë besoj se kur ia rregullon dikujt flokët mirë, e bën atë njeri më tërheqës, kjo i shton shanset që ai ose ajo të gjejë një punë më të mirë sepse përshtypja e parë është më e rëndësishmja. Unë e bëj këtë një herë në javë për 5 orë, pra unë ndihmoj për të shkurtuar papunësinë."

Uitney, e cila ka 7 muaj pa punë, ka ardhur për të prerë flokët falas.

"Është bërë shumë keq. Nuk është e lehtë të gjesh punë."

Ajo është përpjekur të gjejë ndonjë punë por deri tani nuk ka ptur fat, prandaj i është mirënjohëse vemendjes që po tregon stilisti dhe stafi i tij.

"Kjo tregon se ka edhe njerëz që mendojnë për të tjerët dhe kjo në vetvete është inkurajuese. Sot për sot kjo është gjëja për të cilën kemi nevojë, pra diçka pozitive që të të ngrohë shpirtin."

Uitney shpreson se stili i saj i ri i flokëve do t’ja ndryshojë fatin. Por ajo thotë se edhe qeveria duhet ta shtojë ndihmën.

Ekpertët besojnë se nëse qeveria ka një plan të ri për të ulur papunësinë, do të duhen më shumë se 4 vjet për të arritur në nivelin e punësimit të vitit 2007. Ata mendojnë se rigjallërimi ekonomik, sado i fuqishëm të jetë, nuk do të ketë ndikim pozitiv nëse niveli i papunësisë nuk bie ndjeshëm. (ze)

XS
SM
MD
LG