Lidhje

Shqipëri, moti i keq krijon probleme në zona të ndryshme


Në Shqipëri moti i keq, që ka përfshirë vendin në fundjavë, ka krijuar probleme në zona të ndryshme. Si pasojë e rreshjeve të shumta lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe në Fier ato kanë përmbytur edhe zona të banuara, probleme janë shkaktuar edhe në Gjirokastër ku është dëmtuar edhe rrjeti i furnizimit me energji ndërsa një urë njoftohet se është dëmtuar në rrethin e Matit.

Në zonat jugore të Shqipërisë reshjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme për banorët duke i gjetur edhe të papërgatitura autoritetet. Policia tha se ka ndërhyrë për evakuimin e tre personave që rrezikonin jetën nga dalja prej shtratit të Lumit Drino.

Përmbytja e nënstacionit të vjetër elektrik të Gjirokastrës ka lënë në errësirë prej mbrëmjes së djeshme qytetin e Gjirokastrës dhe zonat përreth. Ndërprerja e enegjisë shkaktoi probleme edhe për sistemin kompjuterik të Pikës Kufitare të Kakavijës në kufi me Greqinë. Në orët e para të mëngjesit u vunë re radhë kilometrike të emigrantëve që po kthehen nga Greqia për festat e fundvitit. Më pas autoritet përdorën burimet alternative të energjisë në këtë pikë kufitare duke lehtësuar lëvizjen. Përmbytjet prekën edhe zonën urbane të qytetit të Gjirokastrës për shkak të mospërfundimit të punimeve në një segment të rrugës kombëtare.

Qeveria shqiptare përmes një kredie gjermane financoi vitet e fundit ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik për Gjirokastrën, i cili u përurua vitin e shkuar dhe shihej si një zgjidhje për situatën kur përmbytej nënstacioni i vjetër elektrik.

Autoritetet nuk dhanë sot shpjegime për eficencën e plote te nënsatcionit të ri elektrik. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit vërente dy vjet më parë shkelje në zbatimin e këtij programi që përfshinte përmirësimin e sistemit elektrik të zonave jugore dhe permiresimin e situates në nënstacionet elektrike te Gjirokastres dhe të Sarandës. (ze)

XS
SM
MD
LG