Lidhje

Legjislacioni mbi kujdesin shëndetësor më pranë miratimit përfundimtar


Ndërkohë që legjislacioni për reformimin e kujdesit shëndetësor po i afrohet miratimit përfundimtar, administrata e presidentit Obama po përpiqet të ruaj mbështetjen e lëkundur të disa demokratëve. Këtë javë senati pritet të miratojë versionin e tij të projekligjit mbi reformën në kujdesin shëndetësor. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Paula Uolfson, gjetja e një kompromisi me Dhomën e Përfaqësuesve mund të jetë pjesa më e vështirë e këtij procesi.

Projektligji mbi reformën në kujdesin shëndetësor është përparësia më e madhe legjislative e presidentit Barak Obama. Kjo mund të ketë ndikim në shëndetin dhe pasurinë e amerikanëve për brezat e ardhshëm.

Procesi i projektimit të këtij ligji duket të jetë i vështirë dhe i debatueshëm. Senati ka marrë hapa të jashtëzakonshëm për të fituar mbështetjen e një grupi të demokratëve të cilët kanë kërcënuar se do të votonin kundër projekligjit në fjalë.

Tani që senatori Ben Nelson nga Nebraska ka vendosur të mbështesë projektligjin, fokusi i ligjvënësve është zhvendosur në detyrën e rëndësishme të përputhjes së këtij versioni me atë të Dhomës së Përfaqësuesve i cili është më liberal. Senati pritet të votojë versionin e vet para Krishtlindjeve.

Një nga këshilltarët kryesorë të presidentit tha se nuk ka dyshim në Shtëpinë e Bardhë se ky projektligj eventualisht do të miratohet nga kongresi. Dejvid Akselrod tha në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC se senati e ka lëvizur procesin përpara.

“Është e qartë se ky është një hap i madh në këtë drejtim. Ne duhet të marrim hapa të tjerë shtesë. Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar një projektligj. Senati e ka një projekligj.”

Zoti Akselrod tha se puna për të gjetur një kompromis mes senatit dhe dhomës së përfaqësuesve do të fillojë në janar, kur kongresi do të rifillojë punimet pas pushimeve të fundvitit. Ai parashikoi procesin si të vështirë por të mundshëm.

“Shtatë presidentë amerikanë janë përpjekur të miratojnë një reformë të përgjithshme të sigurimeve shëndetësore. Të shtatë presidentët kanë dështuar. Kemi folur dhe diskutuar për një reformë të tillë për rreth njëqind vjet. Ne jemi pranë arritjes së këtij qëllimi që do të jetë një fitore e madhe për popullin amerikan.”

Si projekligji i senatit ashtu edhe ai i dhomës së përfaqësuesve synojnë të përmirësojnë qasjen dhe ta bëjnë të përballueshëm financiarisht kujdesin shëndetësor në një vend ku shumica e njerëzve varen nga kompanitë private të sigurimit për t’u përballur me kostot e shërbimeve mjekësore.

Por ka ndryshime të mëdha mes versioneve të senatit dhe dhomës së përfaqësuesve. Projekligji i miratuar nga dhoma e përfaqësuesve përfshin plane të kujdesit shëndetësor të financuara nga qeveria për të ndihmuar 30 milionë amerikanët që nuk kanë sigurime private. Kurse projetkligji i senatit nuk përfshin të ashtuquajturin opsion publik, por shton kufizimet e qeverisë ndaj financimit qeveritar të aborteve.

Senatori Kent Konrad nga Dakota e Veriut, kryetar i komisionit për buxhetin në senat, do të luajë një rol të madh në negociatat për gjuhën përfundimtare të këtij projektligji.

Ai i tha programit televiziv Fox News Sunday se versioni i senatit duhet të qëndrojë sepse do të kërkohet më shumë se sa një shumicë e thjeshtë për të qartësuar të gjitha pengesat e mundshme procedurale deri te miratimi përfundimtar i projekligjit.

“Unë mendoj se projekligji përfundimtar duhet të jetë afërsisht i ngjashëm me atë që ka miratuar senati sepse neve ende na duhen 60 vota. Dhe secili që e ka përcjellur këtë proces e di se sa e vështirë është të marrësh 60 votat e duhura.”

Kjo nënkupton 58 votat e demokratëve në senat dhe dy vota nga kandidatët e pavarur që marrin pjesë në mbledhjet e komitetit të demokratëve. Të gjithë republikanët e kanë ngritur zërin e tyre kundër këtij projektligji.

Senatori Xhon Mekein nga Arizona i tha programit televiziv Fox News Sunday se republikanët nuk do ta ndryshojnë mendjen.

“Ne do të luftojmë deri në votimin e fundit. Ne ia kemi borxh një gjë të tillë votuesve tanë sepse ne nuk mund të shikojmë mbrapa dhe të themi ne bëmë gjithçka që mundëm për të parandaluar këtë gabim të madh.”

Senatori Mekein tha se legjislacioni për reformën në kujdesin shëndetësor që po shqyrtohet në kongres do të ketë një ndikim shkatërrimtar mbi borxhin kombëtar. Por, senatori Konrad tha se kontabilistët e kongresit kanë thënë se ky projektligj në të vërtetë do të shkurtojë borxhin kombëtar në planin afatgjatë. //fg//

XS
SM
MD
LG