Lidhje

SHBA: Shqetesime në rritje për terrorizmin e nxitur në vend


Arrestimi kohët e fundit i pesë amerikanëve në Pakistan nën dyshimet se po përpiqeshin të hynin në grupet militante islamike ka ngjallur shqetësimet në Uashington se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë duke i kushtuar shumë rëndësi terrorizmit me burim nga brenda vendit. Disa ligjvënës amerikanë dhe ekspertë të terrorizmit thonë se megjithëse idealet e amerikanëve rreth lirive civile mund të cënohen në parandalimin e radikalizimit të amerikanëve, ata janë optimistë se terrorizmi i ushqyer në vend mund të luftohet në nivel komuniteti.

Pesë amerikanë nga Virxhinia u arrestuan në Pakistan pas përpjekjeve për t'u bashkuar në Xhihad kundër trupave amerikane në Afganistan.

Dy anëtarë të grupit terrorist Lashkar-e-Taiba me bazë në Pakistan, David Deadley dhe Tahavur Hussain Rana po gjykohen në Çikago nën akuzat për lidhje me sulmet terroriste të vitit të kaluar në Bombei të Indisë.

Majibullah Zazi ishte thjesht një shitës miqësor i një qoske për ata që e njihnin, dhe jo siç akuzohet, një operativ i al-Kaidës që kërkonte të vendoste bomba në Nju Jork.

Jo shumë njerëz e njihnin majorin Nidal Hasan, psikiatrin e ushtrisë amerikane që akuzohet për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e më shumë se 40 të tjerëve në incidentin në një bazë ushtarake në Teksas. Kongresi amerikan është i shqetësuar.

"Kërcënimi është real, dhe ky vend është ende në rrezik. Të gjitha këto raste e demonstrojnë këtë fakt".

Ligjvënësi republikan Brian Macall është anëtar në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që zhvilloi një seancë dëgjimore për terrorizmin e nxitur brenda vendit.

Pyetja që shtrojnë disa analistë është– a po bëhen Shtetet e Bashkuara të vetkënaqura?

Analistja e terrorizmit Miriam Melson: "Mendoj se jemi vetkënaqur. Synojmë të përqëndrohemi në sulmet më sketakolare ndërkohë që radikalët ngrihen përditë dhe thonë –Mund të bëjmë diçka fare të vogël që mund të ketë ndikim të madh – atëherë ky është problem të madh".

Por eksperti i anti-terrorizmit Mathew Levitt i Institutit për Politikën e Lindjes së Afërme thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë vetkënaqur."Ne jemi aktivë si në luftën kundër terrorizmit ashtu edhe në përpjekjet për të mposhtur pikëpamjet radikale. Por mund të bëjmë më shumë dhe të organizohemi më mirë".

James Zogby i Institutit Arabo-Amerikan thotë se problemi duhet të zgjidhet me kujdes. Ai thotë se një numër i madh myslimanësh dhe arabo-amerikanësh e kundërshtojnë idenë e përplasjes së civilizimeve që nxitet nga grupet terroriste në Internet.

"Është punuar në të njëjtën platformë. Ata kanë luftuar diskriminimin, kanë luftuar krimet e urrejtjes dhe kanë shprehur mosmarrëveshjet në Shtetet e Bashkuara si qytetarë dhe jo si të huaj".

Zoti Zogby thotë se disa të rinj të pakënaqur nga këto komunitete kanë reaguar ndaj radikalizimit anti-social. Por ai thotë se kjo nuk është diçka e re.

"E kemi parë edhe më parë këtë prirje. Në katër dekadat e fundit që kam qënë i përfshirë në politikat kundër terrorizmit kam qënë dëshmitar i i rekrutimeve të bazuara në supremacinë e racës së bardhë, vende të krishtera dhe milici".

Ka konsensus mes analistëve se mund të bëhet më shumë jo vetëm në nivel qeveritar por edhe në nivel lokal duke përfshirë drejtues të komunitetit dhe prindër të të rinjve që janë më të prekshëm ndaj mesazheve që dërgohen përditë nga rekrutuesit terroristë në Internet.//rd//


XS
SM
MD
LG