Lidhje

Në 2009 shtohet dhuna e lidhur me drogat në kufirin SHBA - Meksikë


Gjatë vitit 2009, dhuna, që lidhet me drogat, u shtua përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe në zona të tjera ku kartelet e fuqishme të drogave luftojnë me njeri tjetrin për zona ndikimi dhe për miliarda dollarët që qarkullojnë nga tregëtia e drogave.

Qyteti El Paso në Teksas, është qyteti i dytë i madh, më i sigurtë në Shtetet e Bashkuara, por nga ana tjetër e kufirit, përballë tij ndodhet një prej qyteteve më të rrezikshëm të botës, Huarezi i Meksikës. Rreth 4 mijë veta janë vrarë në Huarez gjatë 2 vjetëve të fundit, megjithë dislokimin masiv të forcave të armatosura meksikane dhe policisë federale.

Kjo bën që disa njerëz të akuzojnë forcat e sigurimit se punojnë me kriminelët, duke ngritur pikpyetje nëse presidenti meksikan, Felipe Kalderon, mund ta fitojë këtë luftë. Fred Burton është analist me kompaninë globale të zbulimit, "Stratfor”, me seli në Austin të Teksasit.

“Ky është një operacion tepër i vështirë dhe për këtë arsye presidenti meksikan po zhvillon luftë në disa fronte. Nuk duhet të harrojmë se presidenti Kalderon përballet me një problem të madh korrupsioni dhe nuk di kujt t’i besojë në qeverinë e tij”.

Disa analistë politikë e shikojnë Meksikën si një shtet të dështuar. Por antropologu Howard Campbell thotë se deklarata të tilla nuk janë të dobishme.

“Ekzistojnë disa probleme kur njerëzit thonë se Meksika është shtet i dështuar. Nga njera anë duket sikur qeveria u bë e korruptuar nga kartelet e drogave tani, ashtu papritur. A thua se në të kaluarën nuk ka patur korrupsion. Niveli i korrupsionit mund të jetë shtuar, por fatkeqësisht korrupsioni ka qënë pjesë e sistemit politik të Meksikës për një kohë shumë të gjatë”.

Zoti Campbell thotë se është në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe të Meksikës që të parandalojnë bandat kriminale të marrin nën kontroll Huarezin apo ndonjë pjesë tjetër të Meksikës.

“Kemi të bëjmë me kërcënime serioze të sigurisë publike, me probleme të mëdha të krimit, me dhunë e korrupsion, por këto janë probleme që mund të minimizohen e të lehtësohen nëse Meksika dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë, identifikojnë problemet më serioze dhe përpiqen t’i luftojnë ato në mënyrat më të fokusuara”.

Qeveria amerikane i jep Meksikës ndihma materiale si dhe bashkërendon me autoritetet meksikane përpjekjet kundër karteleve. Gary Hale, drejtor i administratës për luftën kundër drogave në Hjuston, në një fjalim që mbajti kohët e fundit në Universitetin Rajs, tha se një prej shënjave të përparimit është se kartelet po kërkojnë burime të tjera të ardhurash, pasi drogat përbëjnë vetëm 20 për qind të përfitimeve të tyre të përgjithshme.

“Kjo do të thotë se ne po ndikojmë tek aftësitë e tyre për të bërë fitime të mëdha, burimi i tyre i vetëm i të ardhurave nga drogat dhe tani ata po përdorin aktivitete të tjera kriminale për të siguruar të ardhurat”.

Natyrisht që zgjerimi i organizatave kriminale në zona të tjera nuk është lajm i mirë për qytetarët meksikanë, të zënë në mes të kësaj lufte. Ata vetëm mund të shpresojnë se disi niveli i dhunës do të bjerë së shpejti. //iç//

XS
SM
MD
LG