Lidhje

Ndryshimi i klimës rrezikon ekosistemet

  • Jessica Berman

Sipas një studimi të ri, specie të ndryshme bimësh dhe kafshësh do të duhet të migrojnë afro gjysëm kilometri çdo vit për të ruajtur vendbanimet e tyre ideale përballë ndryshimit të shpejtë të klimës globale. Nëse ky migrim nuk ndodh, shkencëtarët thonë se ritmi i tanishëm i ngrohjes globale do të rrezikojë zhdukjen e shumë specieve.

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale po dëmton shumë prej ekosistemeve të botës sepse bimët dhe kafshët për të mbijetuar po detyrohen të migrojnë në kërkim të vendbanimeve më të përshtatshme.

Një studim i ri i shkencëtarëve amerikanë llogarit shpejtësinë me të cilën po lëvizin temperaturat në të gjithë globin.

Studiuesit kanë përdorur të dhënat e tanishme të klimës dhe temperaturave të kombinuara me parashikimet klimatike për shekullin e ardhshëm për të kuptuar se sa shpejt do të ndryshojë klima me kalimin e kohës.

Skot Lori nga Instituti Karnigi në Kaliforni është autori kryesor i studimit.

Zoti Lori thotë se, duke u bazuar në të dhënat klimatike, shkencëtarët kanë parashikuar se sa shpejt duhet të ndryshojnë ekosistemet për të mbijetuar.

“Në përgjithësi, klima nuk do të ndryshojë tërësisht, por thjesht do të riorganizohet nëpër botë. Pra, nëse një bime apo kafshe i pëlqen një temperaturë e caktuar, ajo klimë do të mbetet diku. Por çështja është se a do të arrijnë bimët dhe kafshët të lëvizin në vendin e kësaj klime në kohë.”

Me ritmin e tanishëm të çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë, studiuesit kanë arritur në përfundimin se ekosistemet do të duhet të lëvizin rreth 0,42 kilometra çdo vit për të arritur temperaturat që u nevojiten.

Ata parashikojnë se ndryshimi i klimës do të jetë më i ngadaltë në klimat tropikale dhe nëntropikale dhe në livadhet malore.

Studiuesit parashikojnë që ndryshimi i klimës të jetë më i shpejtë në rajonet më të rrafshta, duke përfshirë shkretëtirat, livadhet e përmbytura dhe savanat.

Ekspertët parashikojnë që ritmi i migrimit të bimëve dhe kafshëve do të ndjekë ndryshimet e temperaturës.

Skot Lori nga Instituti Karnigi thotë se zonat e mbrojtura të kafshëve dhe bimëve të egra, ku nuk lejohet zhvillimi ekonomik, nuk ka të ngjarë të jenë në gjendje të ofrojnë mbrojtje në të ardhmen.

Zoti Lori thotë se studimi i tij arriti në përfundimin se 10 përqind e kësaj toke të mbrojtur do të gëzojë të njëjtat kushte klimatike pas 100 vjetësh, duke rritur trysninë ndaj florës dhe faunës që mbështetet tek këto vende për të mbijetuar.

Zoti Lori thotë se nëse do të ketë më shumë toka të mbrojtura, e sidomos pyje, kjo mund ta ngadalësojë zhvendosjen e ekosistemeve, dhe do të ndihmonte edhe në thithjen e dioksidit të tepërt të karbonit, gazi kryesor që shkakton efektin serë.

“Duke ruajtur pyjet, ne do të mund të ngadalësonim ritmin e ndryshimit të klimës dhe në të njëjtën kohë do t’u jepnim bimëve dhe kafshëve kohë për t’u përshtatur. Kjo do të ishte situata ideale.”

Studimi mbi shpejtësinë e ndryshimit të klimës dhe ndikimit të saj tek ekosistemet është publikuar këtë javë në revistën Nature.

XS
SM
MD
LG