Lidhje

Magjia e çokollatës rizgjohet për festat e fundvitit


Një raport i ri për industrinë e prodhimit të çokollatave dhe karameleve thotë se përbërës më të shëndetshëm dhe kombinimi i çokollatës me shije të tjera do të jenë prirja kryesore për vitin e ardhshëm në këtë industri.

Është stinë festash në Uashington. Blerësit mbushin dyqanet, duke kërkuar për dhuratën më të përkryer.Gerri Ratklif thotë se blerja e çokollatave për festa është një traditë familjare.

“Ne nuk i blejmë shpesh njëri-tjetrit çokollata, por Krishtlindjet duket sikur janë momenti i duhur dhe është vërtet diçka e këndshme. Po ashtu është diçka e veçantë për t’u dhuruar”.

Një anketë e fundit në industri nxjerr në pah se konsumatorët që i kushtojnë rëndësi vlerave ushqimore po përpiqen që të gjejnë mënyra që ta shndërrojnë çokollatën në një zgjedhje të shëndetshme.Dhe industria po i përgjigjet kësaj prirjeje.Suzanë Smith është nënpresidente e Shoqatës Kombëtare të Prodhimit të Çokollatave.

“Çokollatat dhe kakaoja nuk janë më ëmbëlsira pas ngrënies. Gjithnjë e më shpesh ato po përfshihen në lloje të ndryshme ushqimesh”.

Në një takim në Uashingto të përfaqësuesve të kësaj industrie, u paraqitën disa ushqime për provë.Suzanë Uajtsajd, e Shoqatës për Prodhimin e Çokollatave, përshkroi menunë.

“Sot kemi një menu me nota kakaoje dhe çokollate për drekë; duke filluar me një biftek të marinuar me sojë, rozmarinë dhe kakao”.

Kuzhinierja profesioniste Karla Holl thotë se ajo shpesh e përzien kakaon me elementë të tjerë.

“Ështëe mundur që të kesh një menu të plotë me çokollatë duke filluar nga aperitivi deri tek ëmbëlsira dhe mendoj se kombinimi i çokollatës me fruta dhe perime është një mënyrë më e shëndetshme të ushqyeri”.

Një nga specialitetet e saj është një recetë tradicionale meksikane ku ajo përzien çokollatën me qepë, hudhra, domate, pulë mes të tjerash.

“Shikoni sesi ngjyra e thellë e çokollatës e shndërron lëngun në një përzierje që duket e mrekullueshme”.

“Mund ta përdorësh si salcë për t’ia hedhur pulës sipër ose mund ta bëni supë. Si t’ju pëlqejë”.

Holl thotë se hidhtësia natyrale e çokollats, ashtu si edhe përbërja e saj e veçantë, i japin një shije tjetër gatimit.

“Kështu në gatim, çokollata e pasuron shijen”.

Por për shumë amerikanë, ajo vazhdon të shërbejë si karamele. Në një dyqan çokollatash në Uashington, bashkëpronari Rob Kingsbury ofron një larmi produktesh me shije të ndryshme.

“Njerëzit vërtet e pëlqejnë kombinimin e shijes dhe ëmbëlsisë: duket se është një nga mallrat më të preferuar për t’u blerë në këtë periudhë”.

Por edhe nëse kombinimet e pazakonta të çokollatës në kuzhinë, nuk duken tërheqëse, ekspertët e industrisë thonë se çokollatat e thjeshta tradicionale do të vazhdojnë të jenë pjesë e përhershme e tregut të karameleve dhe bonboneve. //iç//

XS
SM
MD
LG