Lidhje

Minutat e Hollivudit: "Invictus" filmi i ri i Clint Eastwood-it


Filmi i Clint Eastwood "Invictus" shtjellon historinë e presidentit të sapozgjedhur të Afrikës së Jugut Nelson Mandela dhe sesi ai bashkoi afrikanojugorët, zezakët dhe të bardhët në mbështetje të ekipit ragbi gjatë kampionatit botëror të vitit 1995. Kjo nuk është hera e parë që Eastwood ka zgjedhur një temë frymëzuese. Ashtu si në filmat e tij Letters From Iwo Jima dhe Flags of Our Fathers që e marrin temën nga Lufta e Dytë Botërore, Invictus kap një moment historik. Aktori fitues i çmimit Oscar, Morgan Freeman interpreton zotin Mandela.

Në vitin 1994, Nelson Mandela sapo ishte zgjedhur President në një vend të ndarë në vija racore, pas aparteidit. Megjithëse kaloi 27 vjet në burg, ai kuptonte se Afrika e Jugut nuk mund të kishte demokraci pa ripajtim.

Presidenti Mandela e bën këtë së pari përmes sportit. Duke shfrytëzuar momentin e përgatitjeve para Kupës Botërore të Ragbit, ai i bashkon zezakët dhe të bardhët në ekipin kombëtar Springboks.

Për vite të tëra, ekipi thuajse vetëm me lojtarë të bardhë ishte përballur me mediokritetin. Ai nuk kishte një bazë të gjerë tifozësh pasi afrikanojugorët zezakë e identifikonin atë me aparteidin. Ndryshimi ndodh kur presidenti Mandela takohet me kapitetin e ekipit Francois Pienaar.

Duket se Francois frymëzohet nga historia personale e zotit Mandela sesi poema Invictus (që do të thotë i pamposhtur) e mbajti atë gjallë në burg. Morgan Freeman jep një interpretim solid të udhëheqësit afrikano-jugor. Ai thotë se në fillim ishte nervoz për interpretimin e një figure kaq legjendare.

"Më duhej të punoja me zërin, ritmin dhe aksentin. Kjo më shqetësonte. Por kur e montuam filmin, çdo gjë u puthit siç duhej".

Matt Damon interpreton rolin e yllit të ragbit Francouis Pinaar. Personazhi i tij përjeton një rritje graduale nga një lojtar i demoralizuar në një drejtues ekipi. Ekipi Sptingboks i tejkalon parashikimet. Ata fitojnë dhe bëhen një simbol kombëtar. Eastwood nënvizon rezultatin e dramës.

"Loja, ndeshja dhe rezultati i pamendueshëm. Nuk mendoj se ka ndonjë ndeshje që ka sjellë më shumë festime sesa ndoshta kur amerikanët mundën rusët në hokej"

Regjisori i ka kushtuar një kohë shumë të gjatë lojës, ndërsa i paraqet me ngjyra sentimentaliste festimet që pasojnë.

Filmi bazohet tek shpirti i pamposhtur dhe karizma e Nelson Mandelës. Por nuk jep të metat e udhëheqësit. Nuk mësojmë prej tij problemet familjare të zotit Mandela. Dhe ripajtimi racor duket shumë i lehtë për t'u realizuar.

Invictus – një film i mirë që mund të kishte qënë më i fuqishëm nëse personazhet në të do të ishin më realë dhe nëse do të shtjellohej më qartë historia e rëndë e këtij vendi. //iç//

XS
SM
MD
LG