Lidhje

SHBA: Shqetësim pas incidentit në avionin nga Amsterdami


Autoritetet amerikane thonë se një incident dje në një fluturim nga Amsterdami në Detroit ishte tentativë për akt terrorist.

Burimet nga forcat e rendit thanë se një pasagjer në fluturimin 253 të Northwest Airlines, që administrohet nga Delta, u përpoq të shpërthente një mjet plasës në bordin e aeroplanit ndërkohë që ai po ulej.

Aeroplani arriti pa probleme në Aeroportin Metropolitan të Detroitit me 278 pasagjerë në bord, disa prej të cilëve kishin marrë plagë të lehta.

Zyrtarët e anti-terrorizmit thanë se i dyshuari, një 23-vjeçar nigerian me emër Umar Faruk Abdul Mudallab po kurohet në një spital.

Një pjesë e medias amerikane ka njoftuar se Mudallab është shprehur se punonte për al-Kaidën, por zyrtarët thonë se është shumë herët për të arritur në këtë përfundim.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Bill Bërtën tha se presidenti Obama ka dhënë udhëzime që të merren masa për rritjen e sigurisë në udhëtimet ajrore.

Burimet thanë se i dyshuari nigerian u përpoq të ndizte eksplozivin apo pajisjen e vendosur në këmbën e tij.

" Pati zjarr për disa sekonda dhe ishte diçka e frikshme për të gjithë", thotë një pasagjer.

Dy vetë u plagosën. I dyshuari i cili shkoi nga Nigeria në Amsterdam dhe më pas në Detroit ka pësuar djegie të mëdha. Ai u vu poshtë me shpejtësi nga pasagjerët e tjerë.

Sipas zyrtarëve i dyshuari u tha autoriteteve se ishte dërguar me mision nga operativët e al-Kaidës në Jemen. Gjatë natës, FBI-ja dhe zbulimi amerikan punoi për të verifikuar hollësitë.

Ai nuk ka qënë në listën e të kërkuarve siç duhet të ishte por ka ekzistuar një dosje për të për lidhje me al-Kaidën, thotë kongresmeni Peter King.

Pavarësisht nëse lidhja e të dyshuarit me al-Kaidën është e vërtetë apo jo, qeveria është e shqetësuar për faktin që ai mundi të kalonte masat e sigurisë në aeroport.

"Është rast për t’u shqetësuar që dikush fut lëngje në avion," thotë një ish agjent i FBI-së.

Analistët thonë se ka dy pista kritike të hetimit. Duhet gjetur se çfarë kimikatesh janë përdorur dhe të analizohen lëvizjet e tij.

Pra gjatë 24 apo 48 orëve të fundit me kë ka biseduar? Ku e ka marrë substancën?

Autoritetet kërkojnë të dinë në se i dyshuari ka vepruar i vetëm apo ka vepruar në bashkëpunim me të tjerë.//mm//

XS
SM
MD
LG