Lidhje

Islami radikal në rritje në veriun e Nigerisë

  • Gilbert Costa

Qeveria nigeriane ka urdhëruar hetime dje pas tentativës për sulm të një nigeriani në një aeroplan që po ulej në Detroit. I dyshuari është identifikuar si 23-vjeçari Umar Faruk Abdul Mutallab. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e quajti incidentin “tentativë për kryerjen e një akti terrorist.” Korrespondenti i Zërit të Amerikës Gilbert Da Kosta njofton nga Abuja, ku disa ekspertë thonë se Nigeria është bërë një vend ku janë mbledhur shumë grupe radikale islamike.

Një deklaratë e qeverisë thoshte se Abuja kishte mësuar me keqardhje lajmin e tentativës për sulm terrorist ndaj një aeroplani amerikan.

Nigeria nuk njihet ndër vendet kryesore ku strehohet al-Kaida, por analistët thonë se rritja e ekstremizmit të dhunshëm islamik paraqet një kërcënim të madh. Gjatë pak viteve të fundit, një valë e re aktivistësh të rinj myslimanë, shumica e tyre të arsimuar nga klasat e larta dhe të mesme, kanë përqafuar një version më të rreptë të Islamit, duke iu kundërvënë gjithçkaje perëndimore dhe kristiane.

Një aktivist i të drejtave të njeriut në qytetin verior të Kadunës, Shehu Sani, ka zhvilluar studime të hollësishme mbi kërcënimin që paraqesin fondamentalistët islamë në Nigerinë veriore. Ai tha për Zërin e Amerikës se tentativa e myslimanit të ri nga Nigeria për të hedhur në erë një aeroplan amerikan nuk ka qenë e habitshme për të.

“Nuk është tronditëse apo e habitshme sepse në pjesën veriore të vendit ekziston një atmosferë socio-ekonomike dhe politike që ka krijuar kushtet që individët dhe grupet të angazhohen në veprimtari të tilla.”

150 milion banorët e Nigerisë janë të ndarë thuajse përgjysëm në kristianë dhe myslimanë. Zoti Sani thotë se autoritetet nigeriane duhet të marrin përgjegjësinë për boshllëqet e sigurisë që kanë krijuar terrenin për grupet radikale islamike.

“Fakti është se autoritetet janë treguar neglizhentë dhe ka pasur boshllëqe sigurie. Dhe kjo kulturë ka vazhduar për një kohë të gjatë. Dhe nëse kjo neglizhencë vazhdon, rezultati do të jetë siç është tani. Do të ketë shumë grupe ekstremiste të sekteve fetare që gëzojnë mbështetjen dhe financimin nga vende në të gjithë botën. Dhe askush nuk bën hetime se kush janë këto njerëz kush i financon ata dhe për çfarë përdoren fondet.”

I dyshuari që donte të hidhte në erë aeroplanin thuhet se është i biri i një ish kreu të bankës nigeriane. Një gazetë nigeriane, thoshte se babai, Alhaxhi Umaru Mutallab kohët e fundit kishte qenë i pakënaqur me pikëpamjet fetare ekstremiste të të birit dhe i kishte njoftuar veprimtaritë e tij pranë ambasadës amerikane në Abuja dhe tek agjencitë nigeriane të sigurisë.

XS
SM
MD
LG