Lidhje

75% e amerikanëve të pakualifikuar për të kryer shërbimin ushtarak


Një raport i një organizate të përbërë prej udhëheqësidh ushtarakë të dalë në pension ka arritur në përfundimin se shumica e të rinjve amerikanë nuk mund të shërbejnë në ushtri. Ata nuk mund të kualifikohen sepse ose janë mbi peshë, ose nuk kanë kryer as shkollën e mesme apo kanë histori shkeljesh të ligjit. Ky fakt nuk paraqet ndonjë problem për një periudhë afatshkurtër meqenëse papunësia e lartë ka bërë që shumë njerëz të kualifikuar të shërbejnë në ushtri. Por gjeneralët dhe admiralët në pension thonë se nëse ky problem vazhdon, siguria kombëtare mund të vihet në rrezik kur ekonomia të përmirësohet.

Rreshteri Terens Pju nuk ndodhet në zonë lufte. Por në një kampus universiteti, puna e tij nuk është e lehtë.

Zoti Pju po kërkon njerëz që mund të shërbejnë në ushtri. Ai thotë se shumë persona zgjedhin ushtrinë kur nuk kanë mundësi tjetër.

“Shumica e njerëzve nuk janë të interesuar të hyjnë në ushtri derisa u vijnë punët ngushtë.” - thotë ai

Vernika Givens është nënë e divorcuar dhe pa punë. Ushtria i ofroi zonjës Givens dhe vajzës së saj një të ardhme. Ajo thotë:

“Më ka ofruar sigurime shëndetësore dhe të ardhura të qëndrueshme. Marr para për universitet dhe mund të kursej për vajzën kur të rritet.”

Por zonja Givens është vetëm një nga pak njerëz që kualifikohen për në ushtri. Ushtria thotë se shtatë ndër 10 persona që aplikojnë nuk kalojnë provimin e leximit dhe matematikës.

Një raport i publikuar nga “Gatishmëria për Mision”, një organizatë udhëheqësish ushtarakë të dalë në pension, thotë se 75 pëqind e amerikanëve të rinj mes moshës 17 dhe 24 vjeç nuk kualifikohen për të shërbyer në ushtri. Arsyet janë sepse nuk kanë mbaruar shkollën e mesme, kanë kryer ndonjë krim apo janë mbi peshë.

“Siguria jonë kombëtare në vitin 2030 varet nga çfarë po ndodh sot në çerdhet dhe kopështet tona.” - thotë zoti Barnet.

Ai thotë se studimet tregojnë se fëmijët që shkojnë në një kopësht të mirë kanë 44 përqind më shumë mundësi të mbarojnë shkollën e mesme.

“Ato janë vitet kryesore të jetës së tyre, kur ata formohen nga ana shoqërore, emocionale dhe fizike dhe fitojnë cilësitë që u duhen për të arritur sukses.” - shton ai

Raporti i organizatës “Gatishmëria për Mision” thotë se fëmijët që nuk marrin edukim cilësor që në kopësht kanë 70 përqind më shumë mundësi të arrestohen për një krim të dhunshëm deri në moshën 18 vjeç.

Zoti Glin thotë se çdo aktivitet u mëson fëmijëve se si të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë. Në shkollë ata mësojnë edhe cilat janë ushqimet e shëndetshme dhe rëndësinë e fizkulturës. Synimi është që ata të vënë në jetë çfarë mësojnë tani kur të rriten.

Xhejmi Uajtejkër ka nota të mira, është në ekipin e notit dhe do të shërbejë në Forcat Ajrore. Ushtria do të donte të shihte më shumë kërkesa nga të rinj si Xhejmi. Organizata “Gatishmëria për Mision” i ka kërkuar kongresit një miliard dollarë në vit për 10 vjet me radhë për financimin e më shumë programeve edukimi për fëmijët e vegjël.

“Është investim afatgjatë. Nuk është diçka që sjell fitime të menjëheshme. Por është investimi i duhur.” - thotë Sekretari i Arsimit Arne Dankën i cili shton se nëse nuk merren masa, siguria kombëtare e Amerikës do të jetë në rrezik.//mm//

XS
SM
MD
LG