Lidhje

Iran: Autoritetet arrestojnë aktivistë të shquar të opozitës


Grupe të opozitës në Iran thonë se autoritetet kanë arrestuar të paktën 7 reformistë të shquar në kuadrin e masave të reja shtypëse ndaj protestave antiqeveritare, pas demonstratave gjatë të cilave u vranë të paktën 8 vetë.

Në disa faqe kompjuterike të opozitës thuhej se tre këshilltarë të udhëheqësit të opozitës, Mir Hosein Musavi u ndaluan sot, mes tyre edhe ndihmësi i tij kryesor, Ali Riza Beheshti. Thuhej gjithashtu se autoritetet arrestuan po ashtu aktivistin e të drejtave të njeriut, Emad Baghi dhe atë të opozitës, Ebrahim Jazdi, i cili ka qenë ministër i jashtëm pas Revolucionit Islamik tre dekada më parë.

Ndërkohë, faqet kompjuterike të opozitës njoftuan se sot vazhduan përleshjet sporadike mes përkrahësve të opozitës dhe policisë, në qendër të Teheranit.

Televizioni shtetëror njoftoi se 8 vetë u vranë në mbarë vendin gjatë një proteste anti-qeveritare dje, në kulmin e festës fetare të Ashures. Policia i mohoi akuzat e grupeve opozitare, se forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve.

Zëri i Amerikës ka siguruar video amatore të marra nga iranianë në disa qytete të vendit, që mbështesin thëniet e dëshmitarëve për dhunë.


XS
SM
MD
LG