Lidhje

Obama: Amerika do të përdorë çdo mjet kundër terrorizmit


Presidenti Barak Obama tha se Amerika do të përdorë “çdo element” të fuqisë së saj kombëtare për të çorientuar, shkatërruar dhe mposhtur terroristët që do të donin të sulmonin Shtetet e Bashkuara, kudo qofshin ata.

Zoti Obama i bëri komentet mbrëmë në Havai pas deklaratës së një grupi të al-Kaidës në Jemen, i cili tha se ishte ideatori i përpjekjes për të hedhur në erë të premten një avion të kompanisë Northwest Airlines që fluturonte nga Amsterdami për në Detroit.

Në një deklaratë të publikuar në Internet dhe që i atribuohej grupit al-Qaida në Gadishullin Arabik, thuhej se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve amerikane për të shkatërruar grupin militant në Jemen. Pretendimi i grupit nuk është vërtetuar nga burime të pavarura.

Media amerikan citon zyrtarë të qeverisë të cilët thonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Jemenit personel stëvitor ushtarak dhe pajisje për të luftuar al-Kaidën.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe kanë forcuar masat e sigurisë. Ai tha se qeveria po i rishikon këto masa, duke përfshirë listën e personave të dyshuar për terrorizëm, në përpjekje për të shmangur sulmet në të ardhmen.

Ndaj një nigeriani 23-vjeçar, të quajtur Umar Faruk Abdulmutallab, janë ngritur akuza se është përpjekur të hedhë në erë avionin e kompanisë Northwest duke ndezur lëndë shpërthyese ndërkohë që avioni po ulej. Bomba nuk arriti të shpërthejë.

Abdulmutallab ishte i përfshirë në një listë të zbulimit amerikan por emri i tij nuk ndodhej në listat e personave që nuk lejohen të fluturojnë.

ENDE PIKËPYETJE LIDHUR ME SULMIN

Presidenti tha se ekzistojnë shumë pikëpyetje në lidhje me sulmin, por ata janë duke u përpjekur të gjejnë të gjitha përgjigjet.

"Një hetim i plotë ka nisur mbi këtë përpjekje për sulm terrorist. Dhe ne nuk do të ndalemi deri sa të zbulojmë të gjithë ata që janë të përfshirë t’i nxjerrim para drejtësisë.”


Nigeriani Umar Faruk Abdulmutalab, është akuzuar se u përpoq të shkaktonte shpërthimin e avionit gjatë uljes në aeroport. Presidenti tha se nëse ai do t’ia kishte arritur qëllimit, 300 amerikanë që udhëtonin në atë avion do të kishin vdekur.

"Kjo është një kujtesë e mirë për natyrën e rrezikut që i kanoset vendit tonë,” tha zoti Obama.

Qëndrimi i Presidentit ishte tepër serioz teksa i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në Havai, ku ai po kalon pushimet së bashku me familjen. Ai shpjegoi se si po merren më tepër masa për të rritur nivelin e sigurisë ajrore pas incidentit të fundit. Ai i premtoi amerikanëve se qeveria po bën gjithçka që ka në dorë, që njerëzit të jenë të mbrojtur e të ndjehen të sigurtë.

Presidenti Obama tha se janë vendosur forca shtesë në aeroporte dhe se procesi i kontrollit të pasagjerëve po rishikohet—duke përfshirë edhe listat elektronike të personave me rrezikshmëri të lartë.

Presidenti tha se po këshillohet me anëtarët e grupit të sigurimit kombëtar dhe se ata janë të vendosur të përballen me problemin e terrorizmit.

"Ne do të vazhdojmë me çdo mjet që kemi që të luftojmë, dobësojmë dhe eliminojmë ekstremistët e dhunshëm që kërcënojnë vendin tonë kudo që të jenë, Afganistan apo Pakistan, Jemen apo Somali.”

Presidenti Obama tha se amerikanët që udhëtojnë gjatë festave të fundvitit, duhet të jenë vigjilentë por edhe të kenë besim. Ai vuri në dukje se personi që u përpoq të hidhte në erë avionin e linjës Northwest që fluturonte nga Amsterdami për në Detroit, u diktua nga pasagjerë të tjerë në avion, dhe i quajti veprimet e tyre, të shpejta dhe heroike. //ii

XS
SM
MD
LG