Lidhje

Rritet numri i amerikanëve që nuk plotësojnë nevojat ushqimore



Rreth 49 milionë amerikanë nuk ishin në gjendje të plotësonin nevojat ushqimore vitin e kaluar, ndër të cilët 17 milionë fëmijë që jetonin në familje me mungesa ushqimore. Një raport i qeverisë amerikane del gjithashtu me përfundimin se kërkesa për ndihma ushqimore po rritet. Kriza ekonomike që i ka lënë shumë amerikanë pa punë e ka keqësuar situatën. Sipas Bankës së Ushqimeve për zonën e Uashingtonit, mbi 633 mijë vetë brenda dhe përreth kryeqytetit të vendit rrezikojnë të jetojnë në uri. Por si po i përballojnë këto mungesa bankat e ushqimit dhe si po ndihmojnë vullnetarët?

Vullnetarët kanë një qëllim të vetëm. Të ndihmojnë numrin në rritje të njerëzve që nuk kanë aq sa duhet për të ngrënë. Ky është një ndër 100 aktivitetet për të grumbulluar ushqim këtë muaj në Uashington. Vetëm për një javë, këta djem në Arlington të Virxhinias në rrethinat e kryeqytetit mblodhën qindra kilogramë ushqime të dhuruara për njerëzit që kanë nevojë.

Rreth 1 mijë e dyqind familje në javë vijnë në këtë qendër për të marrë ushqime falas. Gjatë vitit të fundit, numri i njerëzve që shkojnë në bankat e ushqimeve në kryeqytetin e vendit është rritur 20 për qind. Një i papunë thotë se ushqimi që merr nga kjo qendër i sjell atij kursime të konsiderueshme.

“Kostoja e jetesës është rritur. Me paratë që kursej unë mund të paguaj qeranë ose faturën e elektrikut”.

Çdo ditë radhët bëhen më të gjata para qendrës së Arlingtonit për Ndihma Ushqimore. Vitin e kaluar, një mijë tonë ushqime iu shpërndanë familjeve në nevojë. Kristinë Lukas është Drejtoresha ekzekutive.

“Familje që më parë kishin dy ose tre të rritur në punë mund të kenë tani një ose dy vende pune ose edhe asnjë. Kështu ata përbëjnë numrin më të madh të klientëve të tanë, të goditur më rëndë nga kriza ekonomike”.

Këta vullnetarë mbajnë gjallë operacionet e qendrës. Rreth 400 prej tyre punojnë këtu çdo muaj dhe pa ata qendra të tilla të bamirësisë do të mbylleshin ose do të pakësonin shërbimet. Alizon Shihan dhe vajza e saj vijnë këtu një herë në muaj. Ajo thotë se punon si vullnetare për të ndihmuar njerëzit me mungesa ushqimore.

“Përndryshe nuk do të mund t’i kuptonim vuajtjet e disa njerëzve. Është një mënyrë për t’u angazhuar dhe për t’u ndjerë i dobishëm jo thjesht duke shkruar një çek. Sigurisht që unë mund të jap edhe para, por është më mirë kështu të ndash ushqime dhe të flasësh me njerëzit”.

Kristinë Lukas parashikon që më shumë familje dhe të moshuar të shkojnë në qendër gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa ekonomia rimëkëmbet.

Me kërkesën në rritje, drejtuesit e qendrave ushqimore po kërkojnë më shumë ndihma. Ata thonë se ndihmat janë jetike për të siguruar ushqime për familjet në nevojë gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG