Lidhje

Presidenti Obama dënon përdorimin e dhunës nga Irani


Presidenti Barak Obama dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë e dënuan përdorimin nga Irani të forcës vdekjeprurëse gjatë shtypjes së protestave antiqeveritare ditët e fundit. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti ynë, Michael Bowman, përplasjet me rendin në Teheran dhe në qytete të tjerë kanë lënë të paktën 8 të vdekur dhe kanë çuar në një tjetër valë arrestimesh të reformistëve të njohur.

Presidenti Barak Obama i ndërpreu përkohësisht pushimet në Havai për t’u shprehur me terma të ashpra lidhur me zhvillimet e fundit në Iran.

"Shtetet e Bashkuara i bashkohen komunitetit ndërkombëtar duke dënuar me forcë shtypjen e dhunshme dhe të padrejtë të qytetarëve të pafajshëm iranianë, gjë që me sa duket ka çuar në arrestime, dëmtime fizke dhe madje vdekje personash,” tha ai.

Zoti Obama tha se ushtrimi nga populli iranian i të drejtave universale mori një përgjigje brutale. Bota, tha ai, shpreh admirim për guximin dhe bindjen e demonstruar nga iranianët përballë shtypjes.

"Ajo që po ndodh në Iran nuk ka lidhje me Shtetet e Bashkuara apo me ndonjë vend tjetër. Ajo ka lidhje me popullin iranian dhe aspiratat e tij për drejtësi dhe një jetë më të mirë për veten e tij. Vendimi i udhëheqësve të Iranit për të qeverisur përmes frikës dhe tiranisë nuk do të arrijë t’i zhdukë këto aspirata."

Presidenti u bëri thirrje autoriteteve iraniane të respektojnë të drejtat e qytetarëve dhe të lirojnë ata që janë ndaluar padrejtësisht, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ndjekin me vemendje zhvillimet në Iran.

Po dje, edhe Bashkimi Europian kritikoi shtypjen me dhunë nga Irani të qytetarëve të tij të cilët po ushtronin të drejtën e tyre të lirisë së fjalës dhe të grumbullimit paqësor. Kancelarja gjermane, Angela Merkel i përshkroi si të papranueshme veprimet e forcave iraniane të sigurimit, ndërsa Sekretari i jashtëm britanik e quajti dhunën tragjike.

Reagimi i Rusisë ka qenë më i butë. Si aleate tradicionale e Iranit, Rusia ka shprehur shqetësim lidhur me gjakderdhjen dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.

Autoritetet iraniane mohojnë të kenë shtënë kundër demonstruesve që dolën nëpër rrugë ditët e fundit. Ato kanë thënë se të vetmet vdekje të regjistruara gjatë konfrontimeve u shkaktuan nga aksidentet. Duke folur në televizionin shtetëror, Presidenti Mahmoud Ahmadinejad iu referua pretendimit që ai e ka përsëritur disa herë, duke thënë se prapa trazirave publike në vend janë elementët e huaj.

Videot e amatorëve të publikuara në Internet dhe që i janë dërguar Zërit të Amerikës duket se bien në kundërshtim me pohimet e zyrtarëve iranianë rreth përdorimit të dhunës vdekjeprurëse.

Të dielën në Uashington, dhjetra aktivistë, shumica iraniano-amerikanë, demonstruan përballë Shtëpisë së Bardhë për të tërhequr vemendjen ndaj gjakderdhjes së ditëve të fundit në Iran si dhe për të grumbulluar mbështetje ndaj lëvizjes reformiste në vend.

Disa demonstrues u shprehën për një reagim më të fuqishëm amerikan ndaj ngjarjeve në Iran. Pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në Iran në muajin qershor, administrata Obama nuk i mbështeti hapur akuzat e bëra nga opozita për mashtrime në zgjedhje dhe zoti Obama nuk e ka përjashtuar mundësinë për të negociuar me Presidentin Ahmadinejad për çështje të tilla sensitive si programi bërthamor i Iranit.

Në qendrën londineze për studimet iraniane dhe arabe, analisti Ali Nurizadeh tha se iranianët reformistë po e humbasin durimin me Zotin Obama dhe po zhgënjehen prej tij.

"Çdo njeri me të cilin flas në Iran i kritikon politikat e Presidentit Obama. Ata thonë se i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin amerikan si mbështetësin më të madh të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Përse, pyesin ata, Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë diçka për të sjellë ndryshim në Iran?"


Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs thotë se nuk u takon Shteteve të Bashkuara të gjykojnë mbi legjitimitetin e qeverisë iraniane dhe se Presidenti Barak Obama nuk dëshiron që Shtetet e Bashkuara të bëhen futboll politik në Iran. //ii

XS
SM
MD
LG