Lidhje

Obama: Sistemi i sigurisë në SHBA nuk është sa duhet modern


Presidenti Barak Obama tha se nëse agjencitë e rendit do të kishin bërë një punë më të mirë në shkëmbimin e informacionit, do të kishte qenë e mundur të shmangej përpjekja për hedhjen në erë të avionit që fluturonte drejt Detroitit javën e kaluar.

Duke folur dje në Hawai, Presidenti tha se qeveria nuk e përpunoi si duhet informacionin megjithëse kishte marrë paralajmërim nga i ati i nigerianit që dyshohet se u përpoq të hidhte në erë avionin me 300 pasagjerë.

Zoti Obama tha se sistemi i sigurisë i cili ka vite që funksionon, nuk është sa duhet modern dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me shpejtësi për të përmirësuar sigurimin e vendit.

Ministria e jashtëme jemenase thotë se i dyshuari 23 vjeçar, Umar Faruk Abdulmutallab, ishte në Jemen nga fillimi i gushtit deri në dhjetor për të studiuar arabisht. Një grup i al-Kaidës në Jemen thotë se ishte ideator i përpjekjes për të hedhur në erë avionin.

Abdulmutallab akuzohet se është përpjekur të shkatërrojë një avion të kompanisë Northwest Airlines që udhëtonte ditën e krishtlindjeve nga Amsterdami për në Detroit. Autoritetet thonë se ai u përpoq pa sukses të ndizte lëndën shpërthyese të lidhur pas trupit kur avioni po bëhej gati për t’u ulur në Detroit.

Vetë personi i dyshuar thotë se ishte stërvitur nga operativët e al-Kaidës në Jemen.

XS
SM
MD
LG