Lidhje

Gjermani: Ekspozitë me skulptura akulli ndaj ngrohjes globale


Dimri i ftohtë me ngrica ka shkaktuar kaos në vendet evropiane ditët e fundvitit, duke bllokuar rrugët nga bora dhe duke anuluar fluturimet. Kjo gjendje u ka prishur planet e festave shumë njerëzve.


Megjithatë, në Gjermani, akulli këtë vit nuk u bë burim i pakënaqësive, përkundrazi ai mblodhi turmat gazmore të njerëzve në qytetin e Rostokut, ku është hapur ekspozita vjetore e skulpturave prej akulli.

Në kushtet kur temperaturat e dimrit janë nën zero, 15 artistë gjermanë dhe polakë, vendosën të krijonin një aventurë në xhungël, me xhirafa, luanë, merimanga dhe gjuetarësh me shigjeta që kërcejnë përreth zjarrit të krijuar me akull. Përgatitjet për ekspozitën filluan që në verë.

Ekspozita me skulptura akulli lidhet mjaft mirë edhe me një prej temave kryesore të këtij viti, ngrohjen globale, ku akulli është bërë një simbol i shkrirjes së akullnajave. Skulpturat prej akulli u ekspozuan fillimisht në fillim të muajit në Kopenhagë, ku u mbajt takimi dy-javor i klimës.

Më pas ajo u transferua në Rostok, ku do të qëndrojë e hapur deri në shkurt, kur skulpturat të fillojnë të shkrihen nga dielli i pranverës. //mm//

XS
SM
MD
LG