Lidhje

Serbia akuzon Kroacinë për gjenocid, gjatë konfliktit të viteve '90


Serbia ka bërë të njohur se do të paraqesë një ankimim kundër Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku e akuzon atë për gjenocid gjatë luftës së viteve ’90 në Ballkan.

Në një deklaratë me shkrim sot, Beogradi tha se Serbia do të veprojë, si përgjigje ndaj një aktpadije të ngjashme nga Kroacia.

Qeveria kroate ngriti aktpadi ndaj Beogradit në vitin 1999, duke e akuzuar për vrasjen dhe zhvendosjen e qytetarëve kroatë pas rënies së ish-Jugosllavisë. Zagrebi kërkon dëmshpërblim për vrasjen e rreth 20 mijë vetëve dhe shkatërrimin e pronave.

Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ra dakord ta shqyrtonte çështjen, duke hedhur poshtë pretendimin e Serbisë se nuk gëzon kompetencat për ta bërë një gjë të tillë.

Serbia e akuzon Kroacinë për krime kundër civilëve serbë. Beogradi po ashtu i akuzon autoritetet kroate për dëbimin e rreth 200 mijë serbëve nga Kroacia në përfundim të luftës në vitin 1995. //mm//

XS
SM
MD
LG