Lidhje

Kosovë: Viti 2009 në këndvështrimin e Presidentit Sejdiu dhe pritshmëria për 2010- ën


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës se debatet rreth zgjedhjeve lokale të cilat karakterizuan fundin e vitit 2009, nuk e dëmtojnë qeverisjen në vend. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se në vitin që po vjen, Kosovën e presin shumë sfida përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, shtimin e njohjeve për Kosovën dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti president, Kosova po e përmbyllë vitin me debate rreth zgjedhjeve për pushtetin lokal, zgjedhje këto që janë cilësuar si një sprovë për shtetin e ri. A e kaloi shteti i Kosovës këtë sprovë?

Fatmir Sejdiu: Po unë them se ky vit ka qenë vit i sprovave të mëdha dhe përgjithësisht janë kapërcime të suksesshme që ka bërë Kosova me dëshmime praktike në shumë rrafshe dhe natyrisht edhe ky proces në përgjithësi ka qenë një proces i mirë. Qytetarët e kanë dhënë kontributin e tyre me pjesëmarrje në dy ciklet edhe në ciklin e 15 nëntorit edhe në ciklin e balotazhit. Dhe mbetet që të përfundohet me procese demokratike edhe puna e institucioneve të pavarura që kanë të me evaluimin e përgjithshëm të rezultateve. Ajo që dua ta veçoj është se vërtetë krahasimisht me sfidën që e kemi ndjerë ne se për herë të parë bëhet menaxhimi nga institucionet e vendit, ka dalë një punë e suksesshme. Është e rëndësishme se qytetarët, flas në statistika kanë dalë mirë në zgjedhje, pra ka qenë një pjesëmarrje masive. Unë gjithmonë, ndoshta padrejtësisht, por e heq atë pjesën e qytetarëve që nuk janë rezident aktiv në Kosovë por janë jashtë vendit dhe ne nuk kemi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve, por realisht ata figurojnë në listat zgjedhore dhe deshëm, s'deshëm ata e ulin përqindjen e pjesëmarrjes në proces. Prandaj nëse hiqet kjo përqindje e këtyre njerëzve që në rrethana të ndryshme janë jashtë vendit, atëherë del se mund të jetë diku mbi 60 për qind pjesëmarrjes së qytetarëve në proces elektoral. Pra është një përgjigje e mirë dhe mendoj se ky trend me një investim më të mirë, them të subjekteve politike dhe institucioneve të vendit do të mund të mbahet edhe në ciklet tjera.

Zëri i Amerikës: Kësaj radhe ishte karakteristike gjuha politike gjatë zgjedhjeve. Ndoshta zgjidhja e statusit politik të Kosovës e çliroi do të thosha edhe mënyrën e komunikimit ndërmjet partive politike, por kjo arriti ndonjëherë edhe pika bukur të rrepta të debateve. Ka pasur zëra që madje kanë thënë se kjo e bënë të paqëndrueshëm edhe koalicionin aktual qeverisës. Ju si ... ?

Fatmir Sejdiu: Jo, unë mendoj se prapë e lidhim me sprovat. Është një pjesë e sprovës në demokraci. E para, ju e thatë me të drejtë se tema bosht e pavarësimit të vendit ka kapërcyer, thjeshtë si pjesë e preokupimit parësorë të të gjithë subjekteve politike garuese dhe tash mbetet tema bosht se si të qeveriset më mirë. Dhe kujtoj se e njëjta gjë është pjesë e obligimeve të të gjithë partnerëve në garë e subjekteve politike, partive por edhe kandidatëve të pavarur. Dhe çështja e dytë është se, pikërisht në kërkesën si të qeveriset më mirë, nuk është tabu temë që të flitet për aspekte të ndryshme të kundrimeve që mund të jenë për realitetin, për zhvillimet, për përmbushjet e obligimeve, apo pritjeve të qytetarëve. Dhe kjo do të hyjë edhe në pjesën e kundrimit tjetër plus. Janë zgjedhje në nivel lokal dhe është garë lokale dhe kujtoj se po në të njëjtën kohë do ta quaja në kodin e përgjithshëm të mirësjelljes, kanë qenë pak a shumë nganjëherë tema të nxehta që lidhen me funksionimin e përgjithshëm të institucioneve të vendit, duke dashur që në një mënyrë a në një mënyrë tjetër të jepen sinjalet se ne jemi më të mirët apo edhe ata janë më të mirët, flas për subjektet politike që kanë garuar. Dhe realisht unë mendoj se kjo pjesë apo kjo mënyrë e debateve të udhëhequra s'mund të jetë atak në qeverisjen në nivel vendi. Dhe kujtoj se partnerët e koalicioni, megjithatë kanë dhënë përgjigjen e tyre në interesimin e përbashkët për fazat apo sfidat e reja që mund të ketë Kosova në ecjet e mëtejshme dhe në këtë kuadër unë nuk e quaj si pjesë që e ka atakuar demokracinë e vendit. Fundi i fundit, mund të quhet se është një pjesë e shëndetshme e demokracisë po ashtu.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme të pjesëtarëve të komunitetit serb në këto zgjedhje, flas për serbët që jetojnë në pjesën jugore dhe qendrore të Kosovës. Por, kishte një mospjesëmarrje pothuajse të plotë të serbëve në pjesën veriore të Kosovës. Ko mënyrë e votimit a po e përvijon atë shqetësimin e vazhdueshëm që është ngritur për mundësinë e ndarjes së Kosovës?

Fatmir Sejdiu: Po unë dëshiroj të bashkëngjis pjesës së mirë të rezultateve, që është edhe inkurajimi i tyre thjeshtë që karshi trysnisë së madhe që marrin nga Beogradi ditë e për ditë, ata e kanë gjetur veten e tyre. Dhe them se kjo përqindje që tash ka dalë dhe me rezultat të mirë, flas në udhëheqje të tri komunave dhe më një pjesëmarrje sinjifikative edhe në mjediset tjera edhe atje ku nuk e kanë marrë pushtetin, ta zëmë në komunën e Novo Bërdës, është një shenjë se njerëzit duan të interesohen për veten e tyre dhe të jenë partnerë të barabartë edhe të përbashkët në procese të rëndësishme në të cilat kalon vendi. Por, pjesa tjetër është ajo se në një pjesë të Kosovës, flas në tri komunat e veriut, ajo pjesë e popullatës është ende peng i politikës së dirigjuar nga Beogradi, që fatkeqësisht këta njerëz dëshiron t'i mbajë pezull, jashtë realitetit dhe t'i instruktojë zhvillimet apo jetën e tyre do të thosha më drejtpërdrejtë. Unë s'them se ka rrezik në idetë e nganjëhershme që plasohen se mund të ketë ndarje Kosove. Unë them se ka sfida që ka Kosova dhe se ai realitet ende objektivisht i vështirë për jetën e qytetarëve vet atje dhe them me fajin e atyre që dëshirojnë t'i mbajë në një pozicion të tillë, do t'i sfidojë institucionet e vendit edhe për një kohë. Por, them se ka lëvizje megjithatë pozitive. Në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, me EULEX-in, në këtë kuadër janë zhvilluar hapa të mirë, sidomos në ri etablimin e sistemit të doganave, i cili do të funksionalizohet ende. Në përpjekjet për një funksionim sa më të mirë të policisë së vendit. Dhe paralelisht duhet të bëhet një trysni jashtëzakonisht e madhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në vetë Beogradin sepse Serbia nuk mund të vazhdojë me standarde të dyfishta, në njërën anë të pretendojë se udhëheqë politika properëndimore dhe në anën tjetër të bëjë përpjekje shumë më të mëdha dhe harxhime që u dedikohen njerëzve që kanë bërë krime për të mbajte në tension Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova po përmbyllë vitin e dytë si shtet i pavarur. Ka pasur një vlerësim se ajo ka shtuar qëndrueshmërinë e saj, por ka edhe shumë sfida përballë saj, siç është ajo e vendosjes së sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. A janë shqetësuese këto dukuri?

Fatmir Sejdiu: Po, janë fenomene që i gjejmë në vendet e tranzicionit, sidomos në situatat ku ka pasë kriza edhe konflikte edhe luftë të përgjakshme me humbje të mëdha njerëzore por edhe me shkatërrim ekonomish. Dhe nganjëherë mund të them se njerëzit që janë të prirë të merren me kriminalitet gjejnë terren të përshtatshëm. Pavarësisht prej kësaj, unë them se Kosova nuk është jashtë asaj pjesës së standardeve që i kemi në vendet e rajonit. Për ne është tepër e rëndësishme që të investohet në forcimin e institucioneve të vendit. Gjithmonë e kamë thënë në radhë të parë të përgjegjësisë së vete qytetarëve. Nevojitet një reformim ende i thelluar sidomos në sistemin e gjyqësorit. Pa një ndërlidhje të mirë të tri hallkave, sistemit të ndjekjes apo sigurisë në radhë të parë, sistemit prokurorial dhe të gjyqësorit në një eficence të koordinuar nuk mund të ketë rezultate të drejtpërdrejta dhe paralelisht them, pa bashkëpunimin e qytetarëve të vendit s'mund të kemi rezultatin final. Ka kapërcyer ajo pjesë e iluzioneve se dikush duhet të bëjë patjetër punën e dikujt tjetër dhe ai të jetë i qetë në mosmarrjen e obligimeve. Unë them se është borxh qytetar dhe do të thoja edhe kushtetues i cdo njeriut të vendit që të japë kontributin e vet edhe kur s'është në institucion, por me paralajmërime apo shenja të caktuara, për fenomene të caktuara që janë të përditshme në vendet e Evropës perëndimore. Dhe në këtë kuadër unë dëshiroj të them edhe diçka. Kosova nuk mund të shikohet si e inkriminuar. Kosova me krejt këtë pjesë apo bagazh të sfidave të shumta ka lëvizë suksesshëm në këtë kohë dhe është me rëndësi që kualiteti i përgjithshëm, them edhe i jetës, pavarësisht se lë për të dëshiruar edhe më tepër, ka një lëvizje pozitive dhe në të njëjtën kohë të shtohet eficenca e institucioneve të vendit dhe këtu nevojitet edhe bashkëpunim edhe ndërkombëtar. Flas edhe për pjesën e krimit të organizuar. Një vend s'mund të jetë partner i izoluar, apo vend i izoluar pa një partneritet të bashkëpunimit edhe me vendet e tjera sepse krimi i organizuar ka në formulën e vet të parë apo nocionin e parë ka karakterin edhe të një kriminaliteti ndërkombëtarë. Prandaj, nevojitet bashkëpunimi edhe me Republikën e Serbisë edhe me vendet tjera fqinjë për të pasur një rezultat të përgjithshëm që do t'i kontribuonte stabilitetit të përgjithshëm. Dhe e them atë që e gjejmë gjithmonë në formula se ata që merren me krime nuk ndjejnë për përkatësinë nacionale të një vendit tjetër. Për ata interes i veçantë apo prioritet është profiti dhe natyrisht shkelja mbi legjislacionin.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova mbeti jashtë procesit të liberalizimit të vizave, ndërkohë që fqinjët e saj kanë filluar tashmë udhëtimin e tyre të lirshëm nëpër vendet e Evropës. A është Kosova përballë një periudhe izolimi?

Fatmir Sejdiu: Unë do ta them se mbase mund të jenë rrethana të caktuar objektive që Kosova nuk ka hyrë në këtë kompozicion të parë. Nganjëherë shpjegohet edhe me qëndrimin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës ende, por që në një formë apo formë tjetër janë të përputhshme në politikat e përbashkëta të BE-së. Por në njëjtën kohë do të thosha se do të ishte e padrejtë që kjo kohë, apo kjo periudhë të jetë e gjatë dhe të vihet barrë mbi njerëzit e Kosovës në njëfarë mënyre që Kosova të shikohet si një oazë e zezë apo njollë në pjesën e Evropës Juglindore apo pse të mos them në Evropë vetë, sepse jemi e pashkëputshme e trungut evropian dhe e civilizimit evropian. Tjetër është ajo se ka një pjesë e kritereve që nevojitet realisht të përmbushen, sidomos ajo pjesa formale me pasaportat biometrike me veprime energjike edhe ne pjesën e sundimit të ligjit dhe përballjes të themi edhe me pjesë të tjera të formaliteteve që i kanë plotësuar edhe vendet e tjera. Por, realisht unë nuk jam ziliqar në këtë rast që disa prej vendeve të rajonit kanë marrë apo kanë fituar këtë mundësi, por ne s'jemi larg konditave të përbashkëta...

Zëri i Amerikës: Më falni zoti president. Nuk jeni ziliqar madje as me Serbinë?

Fatmir Sejdiu: Jo, jo unë them, shiko, tek Serbia ka nevojë që diçka tjetër të shikohet. Unë them te Serbia në radhë të parë është dashtë që të kërkohet një llogari për qasjen joracionale që ka karshi politikave evropiane, karshi Kosovës, karshi Gjykatës Ndërkombëtare. Dhe unë them se një vend që ende nuk ka dorëzuar kriminelët e luftës dhe se cdo qeveri serbe, e kam përsëritë dhe e përsërisë prapë, nga koha e (Slobodan) Millosheviqit dhe këtej e di mirë se ku është (Ratko) Mladici dhe e fsheh, apo një qeveri që liron kriminelët e luftës që dënohen në Kosovë nga gjykata ndërkombëtare dhe në bazë të një marrëveshje të hershme të UNMIK-ut me qeverinë serbe ata mund të vuajë dënimin atje, por lirohen nga presidenti i Republikës së Serbisë, unë them se këto punë duhet të shikohen pak më thellë. Unë e quaj formulë të nevojshme që të gjitha vendet e rajonit të lëvizin në proces të përbashkët, por natyrisht se në këtë pjesë të kritereve është e nevojshme edhe kjo. Dhe çështja e dytë, e them me përgjegjësi. Njerëzit e Kosovës nuk e kanë mendjen të emigrojnë dhe ta lënë vendit e vet. Mund të ketë individë që edhe ashtu mund të gjejnë kanale dhe të hyjnë në procese të statuseve klandestine apo lëvizje klandestine dhe të paraqesin realisht problemet edhe për veten, por edhe për vendet ku mund të shkojnë. Ne e marrim si shembull përgjigjeje të drejtpërdrejtë edhe eksodin e madh. Në kohën e 99-tës, mbi një milion njerëz kanë lëshuar dhunshëm Kosovën, mbi 80 për qind të kësaj popullsie është kthyer në Kosovë. Edhe ajo pjesa resto që mund të jetë, prapë nuk e ka lënë Kosovën, sepse i ka mbajtur kontaktet. Lëviz, shkon, vjen. Dhe në këtë kuadër unë them se më e mirë është formula që të krijohet mundësia e lëvizjes së lirë. Njerëzit shkojnë vijnë, në Romë, Paris, Berlin. Londër apo vendet tjera dhe kthehen në Prishtinë, sesa të bëhet përpjekja sikur që ishte rasti i tragjedisë së Tisës, të kapërcehet në mënyrë klandestine, të ketë pasoja tragjike për familjet e tyre dhe për Kosovën, sepse ishte ditë zie edhe për Kosovën dhe të bëjnë probleme atje, të bëhen barrë e taksapaguesve të vendeve ku mund të jenë të BE-së.

Zëri i Amerikës: Zoti president, çfarë prisni nga vitit që po vjen? Çfarë duhet të presin qytetarët e Kosovës? Cila është porosia juaj për ta?

Fatmir Sejdiu: Unë them se na pret punë e madhe. Ka shumë çështje që mund të bëhen më mirë. Ka shumë çështje që nuk janë bërë ende plus. Por rezultati i përgjithshëm, flas në akumulim të tyre është pozitiv se janë bërë lëvizje të mira. Dhe them se qytetarët e Kosovës duhet të kenë kurajë. Atë që i ka mbajtur një dell deri në pavarësimin e vendit, të besojnë në të ardhmen e tyre dhe të besojë në institucionet e vendit, sepse bëjnë përpjekje për të bërë punë të mirë. Atje ku nuk e qëllojnë, nuk bëjë keq me na thënë ndonjëherë se bënë kjo punë edhe më ndryshe,sepse ajo që mund të quhet është "zëri i popullit është zëri i Zotit". //mm//

XS
SM
MD
LG