Lidhje

Presidenti Obama në Evropë dhe Lindjen e Mesme në 2009


Fitorja e Barak Obamës në nëntor 2008 u përshëndet me entuziazëm të madh në gjithë botën. Shumë evropianë prisnin që presidenti i ri të riparonte partneritetin transatlantik, të punonte për paqen dhe të vihej në krye të përpjekjeve kundër ngrohjes globale. Në Lindjen e Mesme, njerëzit shpresonin që ai të përqendrohej tek zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez. Por një vit më pas duket se entuziazmi është zbehur.

Presidenti Obama dhe zonja e parë Mishelë bënin për vete turma të tëra kur shfaqeshin në publik. Në pjesën më të madhe të Evropës ata priteshin si yje të muzikës rok. Për shumë vetë, zoti Obama ishte simbol i shpresës. Nina dhe Simon janë studentë në Universitetin King të Londrës.

“Ai tregoi se njerëzit nga të gjitha anët e botës mund të realizonin ëndrrat e tyre,” thotë kjo studente.

“Edhe sjellja e tij është shumë mbresëlënëse gjë që gjithashtu bën përshtypje,” thotë Simoni, student.

Premtimi i zotit Obama për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit botës, bëri jehonë tek publiku. Atij iu dha çmimi Nobel për Paqen më pak se një vit pas marrjes së detyrës. Evropianëve u pëlqeu ndryshimi i tonit, por donin më shumë hollësi, thotë Tomas Valasek, Drejtor i Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes, në qendrën për Reformë Evropiane në Londër.

“Për ne është shumë e rëndësishme se kush i drejton Shtetet e Bashkuara dhe cili është roli i zotit Obama, pasi ai është shumë i pëlqyer në botë dhe do që të angazhojë aktorë të tjerë si Kina dhe Rusia në drejtimin e sistemit botëror”.

Pas afro një viti në pushtet, lufta në Irak po fashitet, por dhuna vazhdon të jetë diçka e zakonshme dhe vendi nuk është stabilizuar ende. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa shtesë në Afganistan dhe po u kërkojnë partnerëve të NATO-s të bëjnë të njëjtën gjë. Irani dhe Koreja e Veriut nuk po japin shenja se do të heqin dorë ngta ambicjet e tyre bërthamore. Dhe në konferencën për ndryshime e klimës në Kopenhagë, përpjekjet për të konsoliduar një aleancë të gjerë kundër ngrohjes globale, nuk dhanë rezultat.

“Ai ka hapur një sërë çështjesh, problemesh dhe sfidash por nuk duket se është në gjendje që t’i zgjidhë ato,” thotë zoti Valasek.

Në Lindjen e Mesme, ndjesitë janë të ngjashme. Fjalimi i Presidentit Obama në qershor në Universitetin e Kairos, që i drejtohej botës myslimane, u mirëprit dhe ngjalli shpresa për një epokë të re paqësore. Profesor Hasan Nafae i Universitetit të Kairos thotë se njerëzit po shpresonin për një ndryshim të politikës amerikane.

“Unë isha atje kur ai mbajti atë fjalim të mrekullueshëm. Por më duket se tani njerëzit kanë filluar të humbasin pak shpresën se ai do të jetë në gjendje të ndryshojë gjendjen, sidomos në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez”.

Gjithmonë theksi ka qenë tek konflikti izraelito-palestinez. Zoti Obama filloi duke i kërkuar Izraelit që të ndalë gjithë aktivitetin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor për t’i rikthyer izraelitët dhe palestinezët në negociata. Kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk pranoi, Presidenti Obama u tërhoq, duke pranuar më pak sesa ndaljen e gjithë ndërtimeve.

Për Radi dhe Xhumana Xharain në Ramallah të Bregut Perëndimor, pushtimi izraelit i prek jetët e tyre çdo ditë. Ai është profesor i Shkencave Politike në Universitetin Kuds. Ajo është dentiste.

“Në fillim, para një viti ne ishim plot shpresë. Tani ne fajësojmë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen pa kufi ndaj Izraelit, pa kushte. Do të donim të shihnim një qëndrim të paanshëm amerikan për arritjen e paqes dhe barazisë këtu në rajon,” thotë Radi.

“Unë e admiroja Obamën. Tani jam zhgënjyer, por mund të them vetëm një gjë: politika amerikane nuk do të ndryshojë kurrë,” thotë Xhumana.

Tomas Valasek thotë se shpresat ishin jorealiste.

“Sigurisht që në disa aspekte, ky ishte një mision i pamundur. Ne prisnim aq shumë prej tij. Tani edhe sikur mrekullira të bënte, nuk do të kishin rezultat”.

Megjithëse theksi i Presidentit Obama tek diplomacia është vlerësuar, shumë vetë duan rezultate. Vitin e ardhshëm, vëmendja do të mbetet tek presidenti ndërsa njerëzit në gjithë botën presin ndryshime. //ad//

XS
SM
MD
LG