Lidhje

Pakistan: Një shpërthim shkakton vdekjen e të paktën 95 personave


Më shumë trupa u nxorrën nga rënojat e një kompleksi sportiv në Pakistan, duke e çuar numrin e viktimave në të paktën 95. Zyrtarët thanë se numri i viktimave mund të shtohet nga sulmi dje në një ndeshje volejbolli.

Policia tha se një vetvrasës përplasi makinën në një turmë me njerëz në provincën Frontier dhe aktivizoi lëndën shpërthyese ndërsa qindra spektatorë po ndiqnin ndeshjen.

Shpërthimi shkaktoi shembjen e shtëpive pranë dhe dëmtoi një xhami ku ishin mbledhur udhëheqës fisnorë. Policia tha se xhamia kishte qënë objektivi i sulmit.

Hetuesit thonë se mes të vrarëve kishte fëmijë dhe ushtarë paramilitarë. Dhjetëra të tjerë u plagosën, duke përfshirë disa që ishin mbledhur në një xhami aty afër. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ajaz Gyl sjell hollësi.

Shpërthimi vetëvrasës dhe vdekjeprurës ndodhi në një fshat të largët veriperëndimor pranë qytetit pakistanez të Laki Marvat. Autori i sulmit kishte vënë në shenjestër një turmë njerëzish që po ndiqnin një ndeshje volejbolli në një lagje plot njerëz.

Duke folur me Zërin e Amerikës përmes telefonit, shefi provincial i policisë Malik Navid e përshkroi incidentin.

“Një automjet u afrua dhe ishte i mbushur me rreth 100 deri në 300 kilogramë lëndësh plasëse. Erdhi dhe hyri drejt e në fushë ku shoferi hodhi në erë makinën duke vrarë veten dhe duke shkaktuar shembjen e disa shtëpive anash.”

Shefi i policisë tha se fshati ku ndodhi sulmi konsiderohej dikur një vendstrehim i kryengritësve talebanë. Megjithatë, ai thotë, banorët lokalë, me ndihmën e autoriteteve krijuan një milici dhe vranë apo i nxorën jashtë militantët nga ajo zonë. Oficeri i policisë thotë se shpërthimi i së premtes mund të jetë reagim i përpjekjeve kundër militantëve.

“Këto militantë me sa duket u zemëruan ngaqë njerëzit u ngritën kundër tyre dhe kjo ishte një mënyrë për të marrë hak.”

Rajoni veriperëndimor ku ndodhi sulmi është pranë rajonit fisnor të Vaziristanit ku mendohet që Talebani lokal dhe afgan si dhe militantët e al-Kaidës thuhet se kanë vendosur baza stërvitjeje. Këta militantë besohet gjithashtu të jenë të përfshirë në operacione ndërkufitare kundër forcave të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistanin fqinjë.

Forcat e sigurisë së Pakistanit kanë sulmuar bazat e kryengritësve në zonën fisnore të Vaziristanit jugor që nga muaji tetor. Sulmet e militantëve dhe ato vetëvrasëse gjatë vitit të fundit në të gjithë vendin kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 1000 vetave, shumica civilë.

Shpërthimi i djeshëm ndodhi në një ditë kur kryeqyteti komercial i Oakistanit, Karaçi, thuajse u mbyll për shkak të një greve të kërkuar nga partitë politike dhe fetare për të protestuar ndaj shpërthimit vdekjeprurës të së hënës në qytetin port në jugperëndim të vendit.

Ai sulm kishte në shenjestër një shërbesë fetare të pakicës myslimane shiite ku u vranë më shumë se 40 veta. Dhuna provokoi protesta të dhunshme në të gjithë qytetin ku demonstruesit i vunë zjarrin afro 2 mijë dyqaneve, dhe të cilët mori tre ditë për t’i shuar. //fg//

XS
SM
MD
LG