Lidhje

Fjalimi i Presidentit Obama në radio dhe Internet


Presidenti amerikan Barak Obama për herë të parë e lidhi publikisht të dyshuarin që u përpoq të hidhte në erë një avion pasagjerësh ditën e Krishlindjeve me Al-Kaidën.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio dhe internet zoti Obama tha se duket se një degë e al-Kaidës në Jemen stërviti të dyshuarin, e pajisi atë me eksplozivë dhe e drejtoi për të sulmuar avionin që udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Obama fajësoi një degë të al-Kaidës për sulmin në ditën e Krishlindjeve që nxiti një rishikim të politikave të zbulimit që dështuan të parandalonin futjen e bombës në avionin që kishte si destinacion Detroitin.

Duke përdorur gjuhën më të drejtëpërdrejtë deri tani, presidenti Obama foli në hollësi rreth lidhjeve të 23 vjeçarit Umar Farouk Abdulmutallab me Jemenin.

“Kjo nuk është hera e parë që ky grup na vë në shënjestër. Vitet e fundit ata kanë bombarduar ndërtesa të qeverisë së Jemenit, hotele, restorante dhe ambasada, përfshi ambasadën tonë në vitin 2008 ku u vra një amerikan. Si president, e kam bërë përparësi forcimin e partneritetit me qeverinë e Jemenit, për të stërvitur dhe pajisur forcat e sigurisë, për të ndarë informacionet dhe për të punuar me ta për të luftuar terroristët e al-Kaidës”.

Presidenti i cili është kritikuar nga republikanët për mos marrjen e hapave të mjaftueshme kundër terroristëve dhe militantëve, mbrojti përpjekjet e administratës për t'i dhënë fund luftës në Irak dhe rritjen e nivelit të trupave në Afganistan. Ai tha se këto veprime janë pjesë e strategjisë së tij për të çarmatosur dhe mposhtur al-Kaidën dhe aleatët e saj ekstremistë.

Zoti Obama tha se ka marrë rezultate paraprake të rishikimit të politikave dhe kishte urdhëruar për procedurat e skanimit dhe të një sistemi të vrojtimit të terroristëve, dhe pret rezultate përfundimtare gjatë ditëve të ardhshme. (ze)

XS
SM
MD
LG