Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbyllin ambasadat në Jemen


Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbyllën sot ambasadat e tyre në Jemen duke cituar kërcënimet nga al-Kaida që u lidh me përpjekjen e dështuar për të hedhur në erë avionin amerikan ditën e Krishlindjeve.

Konfrontimi me al-Kaidën në Gadishullin Arabik ka marrë një dimension të ri që kur 23 vjeçari nigerian i akuzuar për sulmin u tha hetuesve amerikanë se ka marrë instruksione dhe është stërvitur nga operativë të grupit në Jemen.

Ambasada amerikane në Sana është mbyllur sot në përgjigje të kërcënimeve nga al-Kaida në Gadishullin Arabik për të sulmuar interesat amerikane në Jemen, thuhet në një mesazh në faqen elektronike të ambasadës. Në të nuk thuhet nëse mbyllja e ambasadës bëhej në përgjigje të ndonjë kërcënimi specifik.

Aty nuk thuhet për sa kohë do të qëndrojë e mbyllur ambasada. Në deklaratën e ambasadës thuhej gjithashtu se të enjten ambasada lëshoi një mesazh për qytetarët amerikanë në Jemen, duke u bërë atyre thirrje që të jenë vigjëlentë për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të akteve dhe dhunës terroriste kundër amerikanëve në mbarë botën.

Këto masa merren ndërsa Uashingtoni po shton ndihmat në Jemen për luftën kundër al-Kaidës. Presidenti amerikan Barak Obama deklaroi dje publikisht për herë të parë se al-Kaida ishte pas kësaj përpjekje.

Dje gjenerali David Petraeus, vizitoi Jemenin dhe njoftoi plane për të dyfishuar ndihmën kundër terrorizmit këtë vit në vendin e varfër arab.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë njësitë ushtarake në Jemen mes shqetësimeve për rritje të kërcënimit terrorist që vjen nga ky vend, tha sot qeveria britanike.

Në një intervistë sot kryeministri Gordon Brown tha se Britania ka punuar me Shtetet e Bashkuara për të forcuar bashkëpunimin kundër terrorizmit në Jemen.

"Jemeni është si Somalia, një nga zonat që jo vetëm duhet ta vëzhgojmë por të bëjmë më shumë. Duhet të punojmë për të forcuar bashkëpunimin kundër terrorizmit, dhe përpjekjet e zbulimit".

Zyra e kryeministrit britanik tha se ai dhe presidenti amerikan Barak Obama ranë dakort të intensifikojnë punën për të zbrapsur këtë kërcënim të ri terrorist që vjen si nga Jemeni edhe nga Somalia, pas komplotit të dështuar terrorist në Detroit.

"Ky është një kërcënim i ri, i një lloji tjetër dhe është nga një burim i ri, pra Jemeni. Por ka shumë burime të tjera të mundshme si Somalia, Afganistani dhe Pakistani".

Kryeministri Brown shtoi se masat e rrepta të sigurisë në aeroporte, si skanimi i hollësishëm dhe zbulimi i shenjave të eksplozivëve në bagazhe, do të vendosen së shpejti.

(ze)

XS
SM
MD
LG