Lidhje

SHBA mbyll ambasadën në Jemen për shkak të kërcënimeve


Këshilltari më i lartë i presidentit amerikan Barak Obama thotë se kërcënimet nga një grup i lidhur me al-Kaidën çoi në mbylljen e ambasadës amerikane në Jemen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Pola Ulfson njofton se i njëjti grup është konstatuar të ketë pasur lidhje edhe me tentativën për sulm me bombë ndaj aeroplanit amerikan në Ditën e Krishtlindjeve.

Xhon Brenan thotë se ambasada u mbyll për të mbrotjur jetët e punonjësve të saj.

“Ka tregues se al-Kaida në Gadishullin Arabik ka vënë në shenjestër ambasadën dhe punonjësit tonë atje dhe ne nuk do të rrezikojmë jetët e diplomatëve tanë dhe personave të tjerë në ambasadë.”

Këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare tha gjatë programit televiziv Fox News të së dielës se Shtetet e Bashkuara po punojnë me qeverinë e Jemenit për të trajtuar kërcënimin terrorist.

Në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC, ai u pyet nëse ngjarjet e fundit nënkuptonin se Jemeni është një front i ri i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

Zoti Brenan tha se Jemeni ka qenë prej kohësh një zonë që ka ngjallur shqetësime.

“Ne kemi punuar për këtë çështje. Duhet të vazhdojmë të sigurojmë stërvitjen dhe mbështetjen që i nevojitet Jemenit për t’u përballur me këtë kërcënim serioz.”

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë rënë dakort të financojnë një njësi të re policore anti-terroriste në Jemen. Qeveria britanike, e cila po ashtu mbylli ambasadën e saj atje, do të organizojë një konferencë këtë muaj e cila synon rritjen e aftësive të Jemenit për të luftuar terrorizmin.

Pardje, presidenti Obama tha se një grup i lidhur me al-Kaidën në Jemen siç duket e ka stërvitur dhe pajisur nigerianin që akuzohet për sulmin e dështuar ndaj një fluturimi të kompanisë Northwest Airlines për në Detroit në Ditën e Krishtlindjeve.

Zoti Brenan, i cili kryeson hetimet e Shtëpisë së Bardhë mbi incidentin, i tha programit This Week të rrjetit televiziv ABC se kishte copa informacionesh mbi të dyshuarin, por jo prova përfundimtare.

“Nuk kishte asnjë informacion zbulimi që tregonte se zoti Abdulmutallab do të kryente sulmin e tij kundër aeroplanit.”

Kongresi po planifikon të mbajë seanca hetimore mbi këtë çështje gjatë javëve të ardhshme. Republikani kryesor në komisionin e senatit për zbulimin thotë se do të dijë pse kaq shumë jemenas të mabjtur në qendrën e paraburgimit të Guantanamos në Kubë janë kthyer në atdheun e tyre gjatë viteve të fundit.

Senatori Kit Bond nga shtetit Misuri tha në programin Fox News Sunday se shumë prej atyre që u kthyen në Jemen janë tani militantë aktivë të al-Kaidës.

“Mendoj se administrata e presidentit Bush me sa duket ka bërë gabim. Shpresoj që administrata e presidentit Obama të mësojë nga ai gabim dhe të mos veprojë njëlloj.”

Kongresmeni nga shteti Mishigen Pitër Oekstra, republikani kryesor në komisionin e dhomës së përfaqësuesve për zbulimin bëri kohët e fundit një vizitë në Jemen. Ai tha se në Uashington nuk ka ndarje partiake mbi kërcënimin që vjen nga ai vend.

“Siç duket ne jemi tani të gjithë të të njëjtit mendim. Ne e pranojmë kërcënimin e menjëhershëm. Jemi të përkushtuar të përmirësojmë aftësitë tona të shërbimeve të zbulimit dhe aftësitë sulmuese për ta trajtuar këtë problem.”

Zoti Oekstra i bëri komentet gjatë një interviste në emisionin This Week të rrjetit televiziv ABC.

XS
SM
MD
LG