Lidhje

Depo-provera dobëson kockat. Parashikime të zymta rreth Alzheimerit


Depo provera dobëson kockat

Një studim i ri tregon se një lloj ilaçi kundër shtazanisë mund të jetë i dëmshëm për kockat e grave.

Ilaçi kundër shtatzanisë i njohur si Depo provera, është një alternativë e përhapur mes grave sepse Depo provera merret me inxheksion 4 herë në vit dhe jo çdo ditë siç ndodh me barnat e tjera kundër shtatzanisë.

Por studimi i ri paralajmëron gratë që marrin Depo provera se ky ilaç mund të jetë i dëmshëm për kockat e tyre.

Mjekët në Universitetin e Teksasit vëzhguan për dy vjet gjendjen shëndetësore të 95 grave që merrnin Depo provera dhe rregullisht analizuan gjendjen e kockave të tyre. Tek 50 përqind e grave në studim u vu re një rënie i konsiderueshëm i dendësinë minerale në kockën e shtyllës kurrizore. Kjo humbje densiteti mund të çojë në rrezik për frakturë apo thyerje. Depo provera, gjithashtu krijon një çrregullim hormonal, që shkakton parandalimin e shtatzanisë dhe njëkohësisht dobëson strukturën e kockës.

Studime të mëparëshme kanë lënë të kuptohet se shëndeti i kockave përmirësohet kur gratë ndërpresin marrjen e Depo proverës. Por kjo nuk është e sigurt, prandaj mjekët këshillojnë gratë që t’a kufizojnë marrjen e Depo proverës deri në jo më shumë se dy injeksione në dy vjet.

Gratë që pijnë duhan janë më në rrezik për dobësimin e kockave, thotë studimi, dhe për të pakësuar këtë rrezik, cigarja duhet lënë. Për forcimin e kockave, mjekët gjithashtu rekomandojnë marrjen e kalciumit dhe vitaminës D.


Parashikime të zymta rreth Alzheimerit

Ekspertët parashikojnë një shtim në shkallë të gjërë të rasteve të sëmundjes Alzheimer, që ata e lidhin me shtimin e jetëgjatësisë dhe numrit të të moshuarve. Puna kërkimore tani po përqëndrohet në një hormon dhjamor nga i cili mund të përcaktohen gjasat e prekjes nga kjo sëmundje.

Deri në vitin 2050, numri i njerëzve me Alzheimer pritet të shtohet 4 herë, ndërsa deri në vitin 2040, ekspertët parashikojnë që një në cdo 85 persona të ketë Alzheimer. Sot kjo sëmundje prek një në çdo 350 vetë.

Shkencëtarët thonë se shtimi i jetëgjatësisë në mbarë botën shërben edhe si një thirrje për masa të ngutëshme parandaluese ndaj kësaj sëmundje neurologjike, e cila shkakton vdekjen e qelizave të trurit, duke prekur kështu kujtesën në shkallë të pakthyeshme.

Për të parë gjendjen e trurit të pacientëve, mjekët përdorin aparatin MRI akronim për Imazhe me Rezonancë Magnetike

Dr Sudha Seshadri është një nga studiueset në Universitetin e Bostonit dhe bashkë-autore e një studimi të ri mbi dementian.

Ajo thotë se truri ka veti të tkurret sa më shumë që njeriu moshohet. Tek disa persona kjo tkurrje është më e madhe dhe tek të tjerë më e vogël. Nëse truri zvogëlohet shumë, kjo shton rrezikun e prekjes nga Alzheimeri. Një nga shenjat e para të Alzheimerit është humbja e kujtesës ose dementia që shqip do të thotë "pamendje".

Studimi i mjekes Seshadrit përqëndrohet në hormonin leptin, i cili ndihmon për të kontrolluar oreksin.

Gjatë studimit u vu re se një person, truri i të cilit ka nivele të larta leptin, ka më pak të ngjarë të preket nga Alzheimeri ose forma të tjera të dementias.

Studimi vëzhgoi në nivelet leptin në më shumë se 700 të rritur e të moshuar që nuk vuanin nga dementia. Tetë vjet më vonë, 200 prej pjesëmarrësve iu nënshtruan skanimit të trurit me MRI dhe studiuesit vunë re një lidhje midis leptinit dhe dementias.

Personat me nivel më të lartë leptin ishin vetëm 6 përqind në rrezik për t'u prekur nga dementia gjatë 12 viteve të ardhëshme, ndërsa njerëzit në nivel më të ulët kishin 25 përqind gjasa të prekeshin nga dementia.

Shkencëtarët gjithashtu morrën në shqyrtim përmasat e trurit mes pjesmarrësve në studim. Dr Seshadri thotë se mjekët vëzhguan pjesën e trurit të quajtur 'hipokampus", që luan rol kryesor për ruajtjen e kujtesës së përditëshme; kujtesën për të mbajtur mend një numër telefoni, një emër a një adresë. Dhe nëse hipokampus është i madh, personi ka më pak gjasa për t'u prekur nga Alzheimeri. Studimi u botua në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, JAMA.

XS
SM
MD
LG