Lidhje

Rihapen ambasadat amerikane dhe britanike në Jemen


Ambasada amerikane në Jemen thotë se është rihapur pasi forcat e Jemenit morën masa të suksesshme ndaj rrezikut të sigurisë që shkaktoi mbylljen e saj për dy ditë. Misioni amerikan në Sana tha se Jemeni kishte zgjidhur një shqetësim konkret, përmes një operacioni kundër terrorizmit dje në veri të Sanës. Po ashtu paralajmëroi se kërcënimi i terrorizmit kundër interesave amerikane në Jemen, vazhdon të jetë i lartë. Edhe ambasada britanike në Sana u rihap sot, por i mbajti të pezulluara shërbimet publike. Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kishin mbyllur ambasadat në Jemen të dielën, pas paralajmërimeve për një sulm të mundshëm nga al-Kaida.

Vëmendja e botës është kthyer tani tek Jemeni, pas sulmit të dështuar në një avion amerikan në ditën e Krishtlindjes, nga një person që mesa duket kishte lidhje me Al-Kaidën në atë vend. Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Jemenit që të ndihmojë në kufizimin e veprimtarive të Al Kaidës.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e cilësoi gjendjen një "kombinim të vështirë sfidash", gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Katarit.

"Efektet e paqëndrueshmërisë kanë ndikim direkt tek fqinjët. Sigurisht që ne shohim implikime globale nga lufta në Jemen dhe përpjekje të vazhdueshme të al-Kaidës në Jemen që ta përdorin atë si bazë për sulmet terroriste edhe përtej rajonit".

Jemeni është pllakosur nga lufta civile dhe një sërë problemesh të brendshme.

"Në Jemen, ekonomia po dështon, rezervat e ujit po shterrejnë, papunësia është kronike, inflacioni shumë i madh. Të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen, por nuk po zgjidhen", thotë Kris Bosek i Institutit Carnegie thotë se Jemeni mund të ketë shumë probleme dhe nuk mund të luftojë terrorizmin ndërkombëtar.

"Mendoj se ata e shohin atë që po ndodh në Veri me luftën civile apo lëvizjen separatiste në jug, si kërcënime indirekte kundër mbijetesës së shtetit. Al- Kaida ose terroristët islamikë nuk kërcënojnë mbijetesën e shtetit në të njëjtën mënyrë që do të bënte ndarja e vendit. Kështu, ndërsa qeveria e Jemenit ka marrë masa për luftën kundër terrorizmit, ata e kanë bërë këtë, kur kanë menduar se përputhet me nevojat e tyre".

Shtetet e Bashkuara shpresojnë t'i plotësojnë këto nevoja me para. Gjenerali i ushtrisë amerikane, David Petreas u takua gjatë fundjavës me presidentin e Jemenit për të diskutuar për sigurinë dhe bashkëpunimin. Gjenerali Petreas i tha Presidentit Ali Abdullah Salehit se Uashingtoni do ta shtojë më shumë se dyfish ndihmën për anti-terrorizmin në 140 milionë dollarë. Por ish-zyrtari i CIA-s, Majkëll Shuër thotë se për shkak të gjeografisë, Jemeni është bërë tashmë në Gadishullin Arabik si një qendër kryesore për al-Kaidën.

"Për tranzitin e luftëtarëve, si strehë e sigurt për luftëtarët, zhvendosjen e materialeve logjistike, armëve, ushqimeve, dokumentave, Jemeni ka pozitën e përshtatshme gjeografike".

Kryeministri i Katarit, fqinj i Jemenit, sugjeroi dialog në vend të luftës si një mënyrë për t'u përballur me al-Kaidën në Jemen.

"Ne duhet të përqendrohemi tek terrorizmi dhe sesi mund ta luftojmë atë në rajonin tonë dhe të tjerë që të mos ta eksportojmë diku tjetër".

Disa analistë janë dakord se forca ushtarake mund të japë efekt të kundërt dhe ta forcojë al-Kaidën. //kk//

XS
SM
MD
LG